Adem Grabovci gjatë dëshmisë | Foto: KALLXO.com

Adem Grabovci Përfundon Dëshminë

Ish-zëvendësministri i Transportit dhe Postë-Telekomit Adem Grabovci e përfundoi dëshminë në procesin kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve.

Në seancën e sotme pasi prokurori Charles Hardaway përfundoi pyetjet që kishte për Grabovcin, avokatët e të akuzuarve dhe trupi gjykues nuk i shtruan deputetit të PDK-së asnjë pyetje.

Më herët gjatë dëshmisë së tij Grabovci mohoi se njihte biznesmenin e ndjerë Mehmet Shkodra.

“Më kujtohet se kam qenë në pyetje nga prokuroria më herët diku në 2009-ën ose 2010-ën, kam dhanë deklaratën për këta sms dhe jam pyetur edhe për Mehmet Shkodrën dhe asnjëherë nuk e kam takuar dhe nuk e njoh”, tha Grabovci.

Grabovci tregoi se ish-kryetari dhe ih-kryesuesi i Kuvendit të Gjilanit kishin insistuar që ai të takohet me Mehmet Shkodrën.

“Ka pasë insistim edhe nga Izmiu dhe Qemajl Mustafa qe ta takoj, por edhe nga vetë ky personi Mehmet Shkodra që më kishte shkrujt dhe edhe sot po them se nuk e kam takuar dhe nuk e kam njohur atë”, tha Grabovci.

Ish-kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa dhe ish-kryesuesi i asamblesë së kësaj komune Izmi Zeka dëshmuan në procesin gjyqësor  të rastit MTPT.

http://kallxo.com/qemajl-mustafa-ne-gjykimin-e-limajt/

http://kallxo.com/perseri-izmi-zeka-ne-gjykimin-e-limajt/

Biznesmeni Mehmet Shkodra ishte ankuar në lidhje me një tender të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Grabovci u pyet nga prokurori Hardaway se a e dinte që Shkodra ishte ankuar për këtë tender.

Duke mohuar edhe njëherë se e njihte Shkodrën, Grabovci kësaj pyetje të prokurorit iu përgjigj me fjalët “shkoni pyeteni atë”, edhe pse biznesmeni Shkodra ka vdekur në një aksident komunikacioni në vitin 2010.

Nga prokurori Hardaway Adem Grabovci u pyet gjatë dy ditëve të dëshmisë rreth disa sms-ve në të cilët i kërkohej asfaltim i rrugëve në këmbim të anëtarësimit në PDK të atyre që përfitonin prej këtij anëtarësimi.

http://kallxo.com/grabovci-rrefen-per-kembimin-e-asfaltit-anetaresim-ne-pdk/

Sot Grabovci mohoi se shfrytëzoi detyrën e zëvendësministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit për përfitime për PDK-në.

http://kallxo.com/grabovci-thote-se-nuk-tregoi-limajt-per-sms-te/

Në procesin ku dëshmoi Grabovci, Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të, nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për gjykimin e Limajt ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.