Nga takimi konsultativ i Thaçit me përfaqësues të subjekteve politike | Foto: KALLXO.com

22 Tetori Propozohet si Datë e Zgjedhjeve Lokale

Shumica e përfaqësuesve të subjekteve politike në takimin konsultativ me Presidentin Thaçi propozuan 22 tetorin si ditë të zgjedhjeve lokale.

Gjatë fjalës së tij Presidenti Thaçi tha se pret që edhe në zgjedhjet lokale Kosova të dëshmojë kredibilitet.

Në takim Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së kërkoi që përfaqësuesit e subjekteve politike ta caktojnnë një datë sa më të hershme për zgjedhjet.

“Kërkojmë nga përfaqësuesit e partive politike ta kenë parasysh sepse jemi duke shkuar drejt dimrit dhe mundohuni që të ketë data më herët pasi mund të ketë balotazh”, tha Daka.

Edhe Uran Ismajli që në takimin konsultativ përfaqësoi PDK-në u pajtua që data të jetë sa më e hershme që zgjedhjet të mos mbahen dimrit, ndërsa Ismail Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje propozoi 22 tetorin si datë të zgjedhjeve.

Ismet Beqiri nga LDK-ja u pajtua me datën 22 tetor, ndërsa për këtë datë ishin edhe Agim Bahtiri nga AKR, Sllavko Simiq nga Lista Serbe dhe Danush Ademi nga PDAK.

Valdete Bajrami e Nismën propozoi si data 22 ose 29 tetorin, ndërsa Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim u përcaktua për datat 15 tetor, ose 22 tetor.

Zef Morina nga Partia Demokristiane kërkoi që nëse është e mundur të ketë kamera nëpër vend votime, të cilat sipas tij do ta ndiqnin procesin e votimit.

Në fund Presidenti Thaçi tregoi se së shpejti do ta përcaktojë datën e zgjedhjeve lokale, duke respektuar datat e propozuara nga të pranishmit.