Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi konsultohen mes tyre | Foto: KALLXO.com

LDK ende nuk ka marrë mandatin nga Presidenti për formim të qeverisë  

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk ka marrë mandatin për formimin e qeverisë së re.

Kështu ka thënë pas mbledhjes së grupit paralamentar, shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi.

Sipas tij janë duke pritur që të formojnë koalicionet e paralajmëruara dhe t’i sigurojnë numrat e mjaftueshëm.

“Akoma nuk e kemi marrë dekretin për mandatim, por besoj që sapo t’i kryejmë çështjet që kanë të bëjnë me formimin e koalicioneve dhe ti formalizojmë mbi 61 deputet do të njoftojmë presidentin dhe ai do ta lëshoj dekretin. Votë e mjaftueshëm konsiderohet nënshkrimi i koalicioneve, ne akoma nuk kemi nënshkruar asnjë koalicion, pra janë dakorduar shumica, pra formalizmi i tyre me nënshkrim do të kryhet sot dhe nesër besoj”, tha ai.

Gashi, ka thënë që pjesë e koalicionit për qeverinë e re është edhe Lista Serbe, madje Gashi tha që kësaj partie do t’i takoj edhe një Zëvendëskryemiminisër.

“Lista Serbe do të jetë pjesë e koalicionit, nuk ka kërkim, mëshirë apo diçka, bëhet një koalicion qeverisës, ajo po ashtu e ka vendin e rezervuar. Njëri nga ministrat e Listës Serbe mund të jetë zëvendëskryeministër

LDK-ja ka vendosur që Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër .

Ditë me parë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur pro koalicionit me  Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate (NSD), Aleancën Kosova e Re (AKR), si dhe subjektet e pakicave.

Kjo iniciativë për formimin e Qeverisë së re ka ardhur pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti më 25 mars. LDK-ja e cila ishte edhe partnere e këtij koalicioni kishte iniciuar mocion për shkak të mospajtimeve për tarifën si ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.