Enver Hasani - Foto; REL

Hasani: Presidenti nuk duhet të mbajë konsultime me partitë tjera pa ia dhënë mandatin partisë fituese

Ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka quajtur shkelje të standardit kushtetues mbajtjen e konsultimeve me partitë politike nga ana e presidentit.

Sipas Hasanit, presidenti i vendit nuk ka të drejtë të mbajë konsultime me partiake politike pa ia dhënë fillimisht mandatin partisë fituese.

“Mbajtja edhe e konsultimeve me partitë tjera politike përbën shkelje të standardit kushtetues të vendosur dhe interpretuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014”, tha Hasani në KTV.

Presidenti Thaçi sot ka mbajtur takime të ndara konsultative me liderët e partisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atë të Partisë Demokratike të Kosovës, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti me 25 mars.

Thaçi bëri të ditur se nesër do të vazhdojë t’i takojë edhe liderët e subjekteve të tjera, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinajn, atë të Nismës Fatmir Limajn, përfaqësuesit e Listës Serbe, por edhe ata të Grupit Parlamentar 6+.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i inicuar nga partneri i tij qeverisës  – LDK-ja, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarjen ne zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19.