Përparim Kryeziu - Foto : KALLXO.com

Kryeziu: Propozimi i presidentit - i palogjikshëm dhe shkakton panik

Ashtu si zëvendëskryeministri Haki Abazi edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, e ka konsideruar si ‘ekstrem’ propozimin e presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Propozimi i presidentit të Kosovës përpos që është ekstrem, arsyetimi i këtij propozimi si masë preventive për parandalimin e mëtutjeshëm është i paqëndrueshëm. Masa preventive ka marrë Qeveria deri më tani. Madje i ka marrë ato masa edhe në kohë kur s’kemi pasur asnjë rast”, tha ai në konferencë për media.

Sipas Kryeziut, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të shkaktonte panik pa nevojë.

“Ne konsiderojmë që kjo masë përpos që është ekstreme, përpos që është e palogjikshme, ajo është edhe e papërgjegjshme duke qenë se bën thirrje për një panik për të cilën nuk ka nevojë”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka propozuar Kuvendit që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në vend pas situatës së krijuar me coronavirusin.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërsa, orë më parë u konfirmuan dy rastet e para në Gjakovë.

Të dy rastet janë kthyer nga Dusseldorfi i Gjermanisë, njëri i gjinisë mashkullore 54 vjeç dhe tjetra e gjinisë femërore 49 vjeçe.