Reagon Kushtetuesja: Presidenti dhe Kryeministri po mundohen të ndikojnë në vendimin e Gjykatës

Gjykata Kushtetuese përmes një komunikate për media, ka bërë një reagim ndaj diskursit publik ditëve të fundit, që e ka quajtur kërcënues.

Kushtetuesja në këtë reagim ka thënë se Presidenti, Kryeministri në detyrë dhe bartës të institucioneve, duke akuzuar njëri-tjetrin, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës, në lidhje me dekretin e presidentin për mandatarin e ri.

“Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore.Gjykata Kushtetuese dënon po aq ashpër edhe përfoljen e gjyqtarëve individual, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje”, thuhet në reagimin e Kushtetueses.

Tutje, në reagim thuhet se Gjykata nuk do t’i nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve të tilla, duke potencuar se nuk ka nevojë për mbrojtje politike apo publike nga askush, pasi Kushtetuta dhe ligji ia ofrojnë të gjitha garancitë e nevojshme.

“Në fund, Gjykata Kushtetuese fton të gjitha palët në procedurë që të përmbahen nga komentet dhe veprimet që synojnë të ndikojnë apo paragjykojnë vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese, në këtë apo cilëndo çështje tjetër”, thuhet në fund të reagimit të Gjykatës Kushtetuese.

Momentalisht, Gjykata Kushtetuese e ka në shqyrtim çështjen e dekretit të Presidentit, Hashim Thaçi për Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër.