Zyrtare: Hapen të gjitha kontratat e Institucioneve me biznese

3 shtatori i këtij viti shënon datën kur fillon detyrimi ligjor për institucionet që të publikojnë të gjitha kontratat e lidhura me biznese për punë, shërbime apo furnizimet me produkte.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka miratuar Ndryshim/Plotësimin e Rregullores dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit Publik  A 01, e cila parasheh transparencë të plotë mbi këto kontrata.

Tek obligimet e Autoriteteve Kontraktuese për publikim të ‘njoftimit për nënshkrimin e kontratës’ është shtuar edhe një nen, i cili i obligon institucionet shtetërore t’i publikojnë kontratat. Publikimi i dokumenteve në fjalë sipas rregullores do të bëhet në platformën dixhitale të prokurimit e-prokurimi.

“Përpos ‘Njoftimit për nënshkrim te kontratës’, Autoritetet Kontraktuese duhet që të publikojë kontratën e nënshkruar. Publikimi bëhet në platformën e prokurimit elektronik, si dokument shtesë nëpërmjet funksionit “shtoni dokument të ri'”, thuhet në rregulloren e ndryshuar.

Aty janë dhënë sqarime edhe për dokumentet që duhet të publikohen. Sipas këtij neni, secili institucion që lidh kontratë me operatorët ekonomik duhet të bëjë publik të gjitha kushtet e kontratës duke përfshirë edhe ato të veçantat.

Kësaj i shtohet edhe lista e çmimeve në rast të shumëllojshmërisë së produkteve/ shërbimeve të ofruara ku duhet specifikimi i çmimit të secilit produkt/ shërbim që i shitet institucionit.

“Termi kontratë i referohet Kontratës, Kushteve të Përgjithshme të Kontratës, Kushteve të Veçanta të Kontratës, dhe Listës se Çmimeve”, thuhet nenin e ri që është propozuar të futet tek Rregullores dhe Udhëzuesit Operativ te Prokurimit Publik A01”, thuhet në këtë nenë të kësaj rregulloreje.

Ky ndryshim i madh në prokurim po bëhet pas KRPP prej kohësh ka vendosur raporte pune me USAID-in lidhur me projektin për komuna transparente.

Projekti i USAID-it për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse përveç KRPP-së është duke punuar edhe me Organin Shqyrtues të Prokurimit, disa komuna dhe shoqërinë civile.

Hapja e kontratave po bëhet me qëllim të rritjes së transparencës dhe mundësisë së qytetarëve për të qenë të informuar në lidhje me shpenzimet e institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike.