Cilat institucione kanë nënshkruar më së shumti kontrata njëburimore nga viti 2019 deri në vitin 2023?

Institucionet që kanë lidhur më së shumti kontrata njëburimore apo të negociuara gjatë viteve 2019-2023 janë, Komuna e Prishtinës, KEK-u, Komuna e Gjakovës, Komuna e Ferizajt dhe Komuna e Shtimes.

Komuna e Prishtinës prin për nga kontratat njëburimore në vitet 2019, 2020, 2021 ndërsa në vitin 2022 dhe në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, primatin e mban KEK-u.

Në vitin 2019, Komuna e Prishtinës ka nënshkruar 41 kontrata njëburimore nga 191 në total; në vitin 2020 ka nënshkruar 60 kontrata njëburimore nga 161 në total; gjatë vitit 2021, Komuna e Prishtinës ka nënshkruar 38 kontrata njëburimore nga 152 në total ndërsa në vitin 2022, Komuna e Prishtinës ka nëshkruar 27 kontrata njëburimore apo të negociuara.

Në vitin 2022, KEK-u ka nënshkruar 43 kontrata njëburimore nga 278 kontrata në total ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, KEK-u ka nënshkruar 24 kontrata njëburimore nga 196 kontrata në total.

Këto gjetje janë evidentuar në raportin “Përdorimi i kontratave njëburimore (të negociuara) në prokurim publik”, i publikuar nga organizata “Democracy Plus”.

Democracy Plus ka potencuar se një nga procedurat më të ndjeshme në dhënien e tenderëve është procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë apo procedura e negociuar. Me këtë procedurë, autoritetet kontraktuese ftojnë një apo disa operatorë që të dorëzojnë oferta ndërkohë tenderimi nuk është i hapur për kompanitë të cilat nuk janë të ftuara.

Ligji i Prokurimit Publik mundëson përdorimin e kësaj procedure, në rastet e emergjencave ekstreme të cilat janë të përcaktuara në nenin 35 të LPP-së, ndonëse nuk definohet saktë se çfarë konsiderohet si emergjencë ekstreme, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme nga ana e AK-ve. Megjithatë, kjo dispozitë nuk mund të shfrytëzohet “nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues’’.

Kontratat me vlera të mëdha përmes procedurës së negociuar

Korporata Energjetike e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Punëve të Brendshme, Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjilanit, kanë shpenzuar më shumë në kontratat njëburimore nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2023.

Sa i përket vlerës së kontratave një burimore, sipas D+, KEK-u dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë dy institucionet që kryesojnë me shpenzimet me të mëdha në vitin 2019. Në raportin e D+ thuhet se MKRS lidhi 10 kontrata njëburmore në vlerë totale 13,670,461.92 euro.

“Ajo çfarë vërehet te këto aktivitete është lidhja e kontratës në vlerë prej 12,394,800.00 euro për renovim dhe rikonfigurim të stadiumit të qytetit të Mitrovicës, dhe kontrata tjetër në vlerë prej 185,000.00 euro për mbikëqyrjen profesionale të renovimit të po këtij stadiumi. Rrjedhimisht, ministria lidhi kontrata një burimore për të njëjtin projekt në vlerë 12,579,800.00 euro” – theksohet në raport.

Në vend të dytë për nga vlera e kontratave me procedurë të negociuar ishte KEK-u, ndërmarrje e cila lidhi 14 kontrata një burimore në vlerë të përgjithshme rreth 11,381,032.00 euro.

“Përveç punëve shtesë dhe furnizimeve specifike që i nevojiten kësaj ndërmarrje, KEK, me procedurë të negociuar lidhi edhe dy kontrata një burimore për transportin e punëtorëve në vlerën të përgjithshme prej 474,993.78 euro” – vazhdon raporti.

Ndërsa në vitin 2020 kryesojnë Ministria e Shëndetësisë me 8,710,855.78 euro dhe KEK-u me 7,438,319.67 euro. Nga 27 kontrata njëburmore, tri prej tyre kanë të bëjnë me informimin e publikut për punën dhe obligimet e KEK-ut.

“Në këto tri kontrata janë shpenzuar 161.586.00 euro dhe është një aktivitet që nuk është bërë para vitit 2020 dhe as në vitet në vijim. Është e paqartë pse janë hapur tre tenderë me procedurë të negociuar dhe me kohëzgjatje prej 12 muajsh për aktivitete të ngjashme, kur do të mjaftonte përdorimi i procedurës së hapur për këto aktivitete dhe zhvillimi i vetëm një aktiviteti” – thuhet në raportin e D+.

Kontratat e nënshkruara nga MSH kanë pasur për qëllim furnizimin me materiale, vaksina dhe medikamente për mbrojtjen ndaj virusit të COVID-19.

“Nënshkrimi i këtyre kontratave në vitin 2020 u detyrua nga pandemia COVID-19 dhe nevoja urgjente për furnizimin me materialet e nevojshme për qytetarët dhe personelin mjekësor” – vazhdon raporti.

Gjatë vitit 2021 është ulur numri i kontratave një burimore dhe shpenzimet për këto kontrata. Në këtë vit, në kontrata të tilla më së shumti shpenzuan KEK-u, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komuna e Gjilanit.

Në vitin 2021, Komuna e Gjilanit ka dhënë 16 kontrata një burimore, duke shpenzuar gjithsej 1,331, 680.69 euro, pjesa më e madhe është për krijimin e rrugëve dhe qendrave publike. Ndërsa KEK-u ka nënshkruar kontrata një burimore në vlerë prej rreth 5,730,932.28 euro.

KEK, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë shpenzuar një shumë të konsiderueshme për kontratat një burimore në vitin 2022. Në vitin 2022, KEK ka shpenzuar rreth 27,406,550.38 euro për kontrata të tilla.

Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2023, KEK-u ka vazhduar të jetë lider në lidhjen e kontratave një burimore. Përveç KEK-ut, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Shtimes kanë pasur një numër të madh të kontratave një burimore, ndonëse kjo e fundit ka lidhur kontrata në vlera të ulëta.

Numri i kontratave njëburimore dallon nga viti në vit sipas të dhënave të D+. Gjatë viteve 2019-2022, numër i lartë i kontratave një burimore është lidhur në vitit 2020 si rezultat i përballjen me pandeminë COVID-19.

“Numër relativisht i njëjtë i kontratave njëburimore është edhe në vitin pasues, edhe pse kriza e pandemisë tashmë kishte kaluar. Rënie lehtë vërehet në vitin 2022, mirëpo krahasuar me vitin 2019, ky numër mbetet sërish i lartë” – theksohet në raportin e D+.

Rekomandimet për institucionet

Në raportin 10-faqësh, D+ ka renditur shtatë rekomandime për institucionet. Ata kanë rekomanduar që gjatë hartimit të Ligjit të ri për prokurim publik, të rregullohet gjerësisht çështja se kur mund të përdoret procedura e negociuar nga AK-të.

“Ligji duhet të kategorizojë emergjencat ekstreme në kuadër të të cilave AK-të mund të gjejnë arsyetimin për përdorimin e kontratave një burimore” – theksohet në rekomandimin e D+.

Po ashtu, ata kanë kërkuar që autoriteteve kontraktuese t’iu mundësohet publikimi i njoftimit për përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë në platformën e prokurimit elektronik.

D+ ka rekomanduar që të rriten kapacitetet njerëzore të KRPP-së, në mënyrë që të trajtohen të gjitha njoftimet e autoriteteve kontraktuese për përdorimin e kësaj procedure.

“Dhe në të njëjtën kohë të theksohet se heshtja e KRPP-së nuk nënkupton aprovim për përdorimin e kësaj procedure” – theksohet në raport.

KRPP-së i është rekomanduar që të ofrojë trajnime për zyrtarët e prokurimit, në mënyrë që të rris aftësitë e interpretimit dhe përdorimit të drejtë të dispozitave që rregullojnë përdorimin e kësaj procedure

“KRPP të shtoj bashkëpunimin me OShP-në dhe autoritetet kontraktuese, dhe të marrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve të cilët në mënyrë të përsëritur përdorin këtë procedurë kundërligjshëm” – përfundojnë rekomandimet e KRPP-së.

Raportin e plotë të D+ në lidhje me kontratat njëburimore e gjeni KËTU.