Nga 101 zyrtarë të prokurimit, 84 ‘ngelin’ në testin e avancimit

Një test me shkrim i mbajtur në nëntor të vitit të kaluar tregoi se nga 101 zyrtarë të prokurimit në vend, vetëm 17 kanë kaluar atë me sukses.

84 zyrtarë të prokurimit publik, në institucione publike të vendit, nuk kanë arritur të kalojnë një test të avancimit të mbajtur më 21 nëntor 2023.

Testit, siç është konfirmuar nga Departamenti i Trajnimeve i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, i janë nënshtruar 101 zyrtarë të prokurimit ndërsa me sukses e kanë kaluar vetëm 17 prej tyre.

Testi ishte organizuar për vijuesit e trajnimit të nivelit të avancuar në prokurim publik për vitin 2023.

Nga KRPP kanë treguar edhe arsyet e mbajtjes së testit.

“Përveç ngritjes se kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të prokurimit në lidhje me kornizën legjislative të prokurimit publik në Kosovë si dhe praktikave në prokurim publik, është kërkesë ligjore sipas Nenit 25 të LPP, që zyrtarët përgjegjës të prokurimit (përgjegjës për nënshkrimin e kontratave publike), të kenë një certifikatë valide, bazike apo të avancuar të prokurimit të lëshuar në pajtim me nenin 25 të LPP” – thuhet në një përgjigje për KALLXO.com.

Certifikimi i zyrtarëve të prokurimit publik përfshinë dy nivele, certifikimin bazik dhe atë të avancuar.

“Certifikatat themelore profesionale të prokurimit janë të vlefshme për  tri (3) vite, derisa certifikatat e avancuara te prokurimit publik kanë validitet të përhershëm” – konfirmon KRPP.

Por, çfarë ndodh në rastet kur zyrtarët nuk arrijnë të kalojnë testin brenda afatit të paraparë ligjor?

“Personi i cili mban një certifikatë themelore të prokurimit dhe i cili nuk arrin të marrë certifikatën e avancuar brenda kësaj periudhe tri vjeçare e humbë të drejtën për të shërbyer si Zyrtar përgjegjës i Prokurimit i Autoritetit Kontraktues (AK) si dhe te drejtën  për nënshkrimin e kontratave publike në prokurim publik,  përderisa  të marrë certifikatën e avancuar, sipas paragrafit 5 te Nenit 25 te LPP” – ka shpjeguar Departamenti i Trajnimeve i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Të gjithë zyrtarët që i janë nënshtruar testit paraprakisht kanë mbajtur një trajnim me gjithsej 10 module. Gjithashtu, sipas KRPP-së, materialet u janë dërguar paraprakisht edhe pjesëmarrësve në test.

“Ne lidhje me procesin e testimit, kane arritur gjithsej 62 ankesa nga pjesëmarrësit në test. Te gjitha ankesat janë trajtuar nga komisioni i themeluar për shqyrtimin e ankesave , ku edhe iu është përgjigjur secilit pjesëmarrës në test i cili ka bërë ankesë, në bazë të pretendimeve të bëra” – thuhet në përgjigje.