Debat Pernime, Dragash. Foto: Atdhe Mulla

Zhvillim apo Ndarje për Dragashin?

Shtatë kandidatë për të qenë kryetarë të Komunës së Dragashit kanë prezantuar idetë e tyre për të ardhmen e këtij qyteti.

Në Debat Pernime politikanët e komuniteteve të ndryshme u zotuan për punë që nga energjia alternative e turizimi deri në idenë e ndarjes së kësaj komune në dysh.

Admir Sholla  nga JGP deklaroi se synim për të është krijimi i një komune të komunitetit goran brenda Dragashit.

“Komuniteti i im, komuniteti goran, për herë të parë ka kandidatin për Kryetar të Komunës së Dragashit. Për herë të parë si komunitet kemi marrë pjesë në zgjedhje para 4 vjetësh, ato parlamentare, kur edhe kemi qenë pjesë e pushtetit qendror. Ajo që mundon komunitetin goran dhe mua, si përfaqësues i këtij komuniteti, është diskriminimi i komunitetit goran, i cili po ndodh jo më pak se gati 18 vjet dhe është më se qartë. Pra, synimi i jonë i parë, i vetëm, primar dhe i fundit është komuna e pavarur Gora dhe integrimi i komunitetit goran”, tha Sholla.

Fatmir Halili nga Nisma  për Kosovën u zotua për përfaqësim të gjinisë femërore në udhëheqje komunale.

“Trotuaret në rrugët ku nxënësit ecin, mund të kryhen me një shumë jo të madhe të parave. Një premtim konkret për herë të parë do ta kemi nënkryetarin nga gjinia femërore ose një nga pozitat e drejtoreve të udhëhiqet nga një femër. Një zëdhënës që i ka munguar Komunës së Dragashit…” , tha Halili.

Ndërkaq Samedin Dauti nga Lëvizja Vetëvendosje theksoi se ka prioritet zhvillimin e arsimit dhe shërbimeve shëndetësore.

“Nuk kam mundur të duroj degradimin e komunës në qeverisjen 10 vjeçare… Reformimi i administratës komunale, transportit publik, themelimi i fondit për zhvillim rural, shëndetësi, arsim, zhvillimi i turizmit. Do të ndërtojmë salla sporti”, tha Dauti.

Selami Saiti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës premtoi se do të fokusohet në përdorimin e burimeve alternative për prodhimin e energjisë elektrike.

“Plani ynë parasheh zhvillim në ekonomi, arsim, shëndetësi… Prioritet i zhvillimit ekonomik janë energjetika, bujqësia, turizmi. Dragashi ka mundësi për zhvillimin e hidroenergjisë, energjisë nga dielli dhe era”, tha Saiti.

Sherif Aga nga Koalicioni Vakat po ashtu konsideron se duhet të bëhet më shumë në integrimin e komunitetit goran në Dragash.

“Do të vazhdojmë me zhvillimin ekonomik në drejtim të turizmit, bujqësisë, blegtorisë; do të vazhdojmë me përmirësimin e shërbimeve për qytetar sa i përket arsimit, shëndetësisë, në integrimin e komunitetit goran i cili nuk është integruar në shoqërinë kosovare me ofrimin e shërbimeve në arsim, në shëndetësi”, tha Aga.

Sipas Selim Kryeziut nga Lidhja Demokratike e Kosovës, problemit me ujë në Dragash do ti vie fundi në mandatin e tij.

“Qëllimi i LDK është uji, ne kemi shumë ujëra dhe vazhdojmë të kemi probleme. LDK ka dhënë premtim që çështja e ujit do të kryhet në afatin 4 vjeçar. Kanalizimet nuk mund të premtoj se do të kryhen për katër vjet sepse janë më të kushtueshme. Në fushën e bujqësisë do të subvencionohen bujqit, duhet të kemi një veteriner falas dhe konsulent për blegtorë”,tha Kryeziu.

Ndërkaq Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës përmendi disa fusha prioritare në programin e tij qeverisës.

“Platforma jonë ka pikësynim zhvillimin ekonomik. Bujqësinë, turizimin , energjetikën, mbrojtjen e ambientit, arsimin, shëndetësinë”, tha Shabani.