Debat Pernime, Vushtrri. Foto: Atdhe Mulla

Në Mëshirë të Kujt Është Trashëgimia në Vushtrri?

Në Debat Përnime, kandidatët për kryetar të Komunës së Vushtrrisë dhanë planet dhe programet e tyre për çështjen e trashëgimisë kulturore në këtë komunë.

Xhafer Tahiri, kandidati nga LDK, tha se kanë një plan që përfshinë qendrën historike në Vushtrri.

“Plani për identitet përfshin qendrën historike në Vushtrri. Kemi parapa sheshin ‘Ahmet Krasniqi’, do ta kemi festivalin e kulturës dhe diasporës. Kemi plane për terrene sportive dhe kemi parapa bursën Hasan Prishtina për nxënësit e dalluar”, tha Tahiri.

Nasuf Aliu, kandidat nga AKR, tha se do ta modifikojnë procedurën e ruajtjes së trashëgimisë.

“Ne do ta modifikojmë rregulloren e procedurave të rregullimit, do të plotësojmë planin komunal. Vushtrria ka mjaft ekspert që të japin kontribut në këto dokumente. Infrastrukturën ligjore dhe financiare do ta forcojmë”, tha Aliu.

Lutfi Bilalli, kandidat nga AAK, tha se komuna do të ketë një guidë për trashëgiminë kulturore.

“Mbrojtja e këtyre monumenteve është në bazë ligjore, kryetari i komunës nuk ka qasje. Komuna do të jep një udhërrëfyes, ne besojmë që do të jetë një guitë interesante. Vushtrria me lashtësinë e vet do të jetë një atraksione dhe për zhvillimin e turizmit por brenda qytetarit të krijomë dhe të heqim bërllokun”, tha Bilalli.

Ferit Idrizi, kandidat nga PDK, tha se shtëpia e re e kulturës është projekt dy vjeçar.

“Veç ta dimë kush është pronari dhe kush e ka në pronësi. Shtëpia e Kulturës nuk i përket trashëgimisë kulturore. Kjo shtëpi e re e kulturës është projekt 2 vjeçar. Trashëgiminë kulturore jemi veç tu e rujt. Ka me u shfrytëzu edhe për turizëm dhe po ashtu do të angazhojmë një ciceron ti tregoj njerëzve për turistët në Vushtrri”, tha Idrizi.

Besim Muzaqi, kandidat nga Vetëvendosje, tha se do të funksionalizojnë shumë objekte kulturore.

“Gjithsesi ne kemi një vizion për konservimin e qendrës së qytetit. Kjo çështje ka të bëj tuj fillu nga objektet kulturore, si kalaja e qytetit që do tu kthehet në përdorim qytetarëve, ura e gurit do të jetë e hapur, ne nuk kemi asgjë kundër bizneseve por kurrsesi s’do të lejojmë të uzurpojnë pronat publike. Për hamamin kemi projektin që do të restaurohet dhe të behet një galeri arti”, tha Muzaqi.

Avdullah Vojvoda, kandidat nga NISMA, tha se kanë plane për ruajtjen e monumenteve kulturore.

“Edhe NISMApër Kosovë ka plane dhe programe. Këto monumente historike të Vushtrrisë kemi mujt me i rujt ma përpara por antika e Vushtrrisë është prish prej fillimit sepse qeverisja nuk ka qenë në favor të monumenteve. Sa i përket ruajtjes së këtyre monumenteve nuk është problem, mundemi me punësu punëtorë që me u kujdes për to”, tha Vojvoda.