Logo e LDK-së - Foto: Facebook

LDK Përjashton Mundësinë e Koalicionit me PDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mohuar kategorikisht teoritë se kjo parti po planifikon marrëveshje të fshehtë për koalicion bashkëqeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës.

Në vazhdën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale, LDK ka bërë të ditur se nuk bashkëpunojnë me PDK-në në asnjë rrethanë.

LDK e cila kishte udhëheqjen e legjislaturës  së kaluar në koalicion me PDK-në, u rrëzua nga një mocion i mosbesimit të cilin e mbështeti edhe PDK-ja.

Megjithatë, sipas një komunikate të partisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, oponentët politikë po lansojnë teori keqdashëse me qëllim të dëmtimit në elektorat.

“Të nderuar qytetarë, LDK-ja u është shumë mirënjohëse për besimin që po i jepni LDK-së dhe kandidatëve të LIDHJES me qytetarët e të gjitha komunave të vendit”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë tashmë të qartë që LDK është partia e vetme në Kosovë që asnjëherë nuk është luhatur nga mbrojtja e interesave të shtetit dhe qytetarëve… Sa herë që LDK-ja forcohet, oponentët tanë politikë lansojnë teori të rrejshme dhe konspirative kinse ne kemi marrëveshje të fshehta me PDK-në për bashkëqeverisje”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, kjo parti është shprehur e bindur në fitore të dukshme në garën për komunat e Kosovës.

“LDK-ja është e vendosur të fitojë zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës dhe t’ia shkurtojë jetën Qeverisë së pazareve dhe kontrabanduesve”, thuhet tutje në komunikatë.