Krasniqi nuk do Forcë Muskujsh në Fushatë

Kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi ka bërë thirrje që në fushatë të shpalosen virtyte e jo agresivitet.

“Nisma së bashku me te edhe qytetarët duhet të ndahen një herë e mirë nga politika që nuk prodhon siguri e stabilitet, që nuk ka mendje e zemër që t’i shohë e ndjejë vështirësitë e shqiptarëve dhe njerëzve të tjerë të këtij vendi”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Dje Lëvizja Vetëvendosje akuzoi disa aktivistë të Nismës se kanë sulmuar një aktivist të saj.

Më tutje Krasniqi u bëri thirrje edhe subjekteve tjera politike që të heqin dorë nga dhuna.

“Nisma i fton krerët e partive politike që të ndahen njëherë e mirë nga çdo formë e dhunës, e kërcënimit, e shantazhit, e fyerjeve dhe nga çdo formë e kërcënimit apo e denigrimit të bashkëkombasve”, thuhet më tutje në shkrimin e Krasniqit.

Të premten e kaluar në një debat televiziv plot fyerje e polemika, Frashër Krasnqi nga Vetëvendosja e sulmoi deputetin e Nismës Milaim Zekën.

http://kallxo.com/avokati-frasher-krasniqi-dyshohet-per-lendim-trupor/

Krasniqi në reagimin e tij në emër të Nismës kërkon që të mos përdoret në fushatë forca e muskujve, por vlerat.

“Nisma kërkon nga politikanët e rangut të ‘lartë’ që opinionit t’ia prezantojnë vlerat e tyre politike, ideologjike, intelektuale, kulturore e kombëtare, përkushtimin e dashurinë për t’ju shërbyer njerëzve, por assesi atij t’ia prezantojnë forcën e muskujve, agresivitetin primitiv, gjuhën fyese, kërcënuese e denigruese”, thuhet në reagimin e Krasniqit.

Krasniqi thotë se kosovarëve u duhet edukim e jo frustrim.

“Njeriut tonë sot i duhet shumë edukim e hiq frustrim! Frustrimin na e la me shumicë e kaluara! E sotmja ia ka nevojën shumë, tepër shumë, gjuhës e mendjes së urtë njerëzore!”, përfundoi Krasniqi.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 22 tetor, ndërsa fushata për to ka nisur më 21 shtator.