Kandidati për kryetar Bashkim Fazliu në bashkëbisedim me të rinjtë ferizajas - Foto: NQF

Fazliu Premton 10.000 Vende Pune në Ferizaj

Në një bashkëbisedim me të rinjtë ferizajas, kandidati për kryetar të Komunës nga Nisma Qytetare për Ferizaj (NQF), Bashkim Fazliu, ka shpalosur programin inovativ për të rinjtë, i cili parasheh 10.000 vende të reja pune, 100 euro stimulim për çdo student ferizajas si dhe mbulim të shpenzimeve për çdo nxënës nga fshati, qoftë në shkollë të mesme qoftë në atë fillore.

Programi i Fazliut parasheh edhe hapjen e Qendrës për Inovacion, përmes të cilës do të përkrahet çdo ide që kanë të rinjtë ferizajas.

Në këtë takim, në të cilin ishin edhe katër kandidatë të rinj në listën e këtij subjekti, Bashkim Fazliu shpjegoi se si një kryetar inovativ dhe kreativ “për dallim nga kryetarët e gjertanishëm të mentalitetit të kanalizimit”, mund t’i hapë 10,000 vende pune në Ferizaj, duke ndarë fonde nga buxheti komunal, pastaj nga Ministria për Inovacion, pastaj fonde nga ambasadat e huaja dhe organizatat që janë të gatshme të financojnë ide inovative.

Ai parasheh edhe bashkëpunim me programin e BE-së Horizon 2020, ku janë ndarë 80 miliardë euro për inovacion.

Përveç këtyre, Fazliu theksoi nevojën e themelimit të Drejtorisë për Rini, që në të ardhmen të ngritet në nivel Ministrie për Rini, “ide kjo origjinale e Kandidatit për Kryetar të Ferizajt, Bashkim Fazliu”, thuhet në një njoftim të këtij subjekti politik.