Debat Pernime, Kline. Foto: Atdhe Mulla

Çka do të Bëhet me Sheshin Milionësh të Klinës?

Një projekt me kosto mbi një milion euro i realizuar gjatë mandatit të Sokol Bashotës si Kryetar i Komunës së Klinës ka mbetur i padefinuar për këdo që do ta marrë drejtimin e kësaj komune.

Për katër vitet e ardhshme, Kryetari i Komunës së Klinës duhet të vendos  se si do të shfrytëzohet një shesh  me përmasa të konsiderueshme në qendër të kësaj komune.

Në Debat Pernime, kandidatët për postin e të parit të Klinës në zgjedhjet e 22 tetorit, kanë shpalosur idetë e tyre rreth funksionalizimit të këtij sheshi.

Avni Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se ky projekt ka tejkaluar prioritetet në nevoja të qytetarëve të kësaj komune.

“Është një prej punimeve, prej kundërshtimeve ma të mëdha dhe më të zëshme që kam bërë në asamblenë e Klinës, jo pse Klina nuk ka nevojë për një shesh të bukur por nuk është prioritet”, tha Gashi.

Besim Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, u zotua se do të organizojë debat publik lidhur me idenë për qarkullimin e veturave në atë shesh.

“Çështja e sheshit është mjaft problematike, sheshin Sokol Bashota e ka ndërtuar pa e pyt asnjë qytetar, asnjë debat publik nuk është bërë. Ai ka shkaktuar probleme të jashtëzakonshme qe dy vite”, tha Hoti.

Ndërkaq, Iber Elezaj, nga Lëvizja Vetëvendosje ka plane specifike për mundësimin e qarkullimit më të lehtë të veturave jashtë sheshit.

“Do të konsultohemi me qytetarët sepse është projekt problematik. Fillimisht duhet të zgjerohet rruga ‘Skender Rexhepi’ që është rrugë anësore se është një fyt i ngushtë i pakalueshëm”, tha Elezaj.

Nezir Gashi nga Nisma për Kosovën u shpreh i shqetësuar me koston  e projektit për këtë shesh.;

“Nuk jemi kundër shesheve por është i parakohshëm, është milionësh, nuk e di cili shesh në vend perëndimor do të kishte kushtuar aq shtrenjtë”, tha Gashi

Në anën tjetër, Kryetari actual, Sokol Bashota tha se sheshi mund të durojë lëvizjen e makinave meqë duron pesha të rënda.

“Do të vendosin qytetarët por mundësitë teknike do të jenë, sepse duron deri 60 ton peshë. Kerret kanë mundësi me kalu”, tha Bashota.

Zenun Elezaj nga Aleanca për Ardhmërinë  e Kosovës  dha qëndrim të prerë për sa i përket mënyrës së shfrytëzimit të sheshit nëse e merr mandatin qeverisës.

“Sa i përket sheshit qëndrimi im është që ai shesh është investim i parakohshëm. Nëse marr mandatin un do ti lëshoj veturat në qarkullim”, tha Elezaj.

Në debatin për Klinën morën pjesë Avni Gashi (AKR), Besim Hoti (LDK), Iber Elezaj (LVV), Nezir Gashi (NISMA), Sokol Bashota (PDK) dhe Zenun Elezaj (AAK).