Dosja e Prokurorisë ndaj Tush Frrokajt, i akuzuar për vrasje në qendër të Klinës

Vitin e kaluar në një periudhë të shkurtë kohore u raportuan dhe u regjistruan disa plagosje, vrasje nëpër vende të cilat frekuentohen mjaftueshëm nga qytetarët, siç janë edhe kafeteritë. 

Një nga rastet, ajo që ndodhi në qendër të Klinës tashmë ka përfunduar në aspketin hetimor dhe Prokuroria në Pejë ka ngritur aktakuzë. 

Tush Frrokaj tashmë akuzohet nga Prokuroria për vrasje të rëndë, mbajtje në pronësi dhe kontroll të armëve pa leje, shtrëngim dhe marrje në posedim të pasurisë së luajtshme.

Frrokaj më 07.08.2023 rreth orës 17:00, sipas dosjes së prokurorisë pretendohet se ka vrarë Anton Prelajn brenda një kafeterie në qendër të qytetit të Klinës.

Në Dosjen të cilën ka siguruar KALLXO.com përshkruhen veprimet e tashmë të akuzuarit Frrokaj në ditën kritike.

Fillimisht sipas Prokurorisë, përveç vrasjes që pretendohet se kishte kryer Frrokaj, i njëjti kishte rrezikuar edhe persona të tjerë të cilët ishin në hapësirën e kafeterisë.

Prokuroria ka përshkruar se në ditën kritike, para orës 16:30, para lokalit në të cilin ishte kryer vrasja, fillimisht kishte shkuar i pandehuri Tush Frrokaj e kishte thirrë të ndjerin Anton Prelaj dhe kishin biseduar jashtë hapësirave të kafeterisë për 20 minuta.

Pasi Prelaj ishte kthyer në tavolinë i ishte drejtuar një të dëmtuari tjetër “Tushi po dëshiron që të bashkohet prapë me gruan e vet që ishin ndarë…”, përshkruhet në dosje.

Në ato momente dosja përshkruan se i akuzuari Tush Frrokaj me një armë në dorë futet brenda kafeterisë, niset në drejtim të viktimës dhe gjuan fillimisht katër herë, ndërsa kthehet deri te dera e daljes, ndalon dhe fillon prapë gjuan tri herë në drejtim të viktimës.

Me plumbat e shkrepur Anton Prelaj mori plagë në fyt, në nënsqetull, krahun e majtë dhe të djathtë, shpinë.

Tush Frrokaj po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Kjo pasi që i njëjti për një kohë të pacaktuar, deri më 7 gusht të vitit të kaluar, sipas Prokurorisë posedoi armë në kundërshtim me ligjin për armët, ndërsa në shtëpinë pa leje mbante edhe 10 fishekë, një brez të pajisjeve të armës me pranga dhe këllëf të pistoletës, një shufër metalike, 13 fishekë, dy fishekë të pushkës së gjuetisë, pajisje për pastrim të armës dhe një thikë.

Dispozitivi i tretë i aktakuzës së prokurorit Ersan Qavolli tregon se në ditën kritike, rreth orës 16:55 në Klinë, Sheshi “Nëna Terezë”, me kanosje serioze për vrasje dhe duke përdorur armën, Tush Frrokaj, e kishte detyruar personin tjetër që të kryej një veprim në atë mënyrë që, pasi i pandehuri Tush Frrokaj, pretendohet se kryen veprën penale të vrasjes së rëndë, del në Sheshin e lartcekur, e ndalon një veturë dhe i drejton pistoletën dhe nën kërcënimin e armës duke ia drejtuar e detyron që ta voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan dhe me të arritur afër laurës së trenit, i dëmtuari frenon vrullshëm dhe menjëherë largohet nga vetura, më pas i pandehuri Tush Frrokaj e merr veturën dhe arratiset.

Për këto veprime, Tush Frrokaj sipas dosjes akuzohet për veprën penale të shtrëngimit.

Pika e katërt e aktakuzës ndaj Frrokajt, flet për marrjen në posedim të pasurisë së paluajtshme.

Frrokaj pasi dyshohet se nën kërcënimin e armës e detyron një qytetar që ta voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan dhe me të arritur afër laurës së trenit, i dëmtuari kishte frenuar vrullshëm dhe menjëherë ishte larguar nga vetura, Frrokaj dyshohet se kishte marrë më pas veturën vet dhe ishte arratisur për ta lënë më pas te shtëpia e tij.

Frrokaj në kohën kur akuzohet se kreu veprën kishte qenë në arrati për tetë ditë e më pas ishte dorëzuar.

Ai dyshohet se për këto 8 ditë ishte fshehur në një shtëpi të pabanuar në Burojë të Skenderajt.

Ku ishte fshehur dhe si u dorëzua në Polici i dyshuari për vrasjen në Klinë, flet avokati

Përgjim i telefonave e monitorim i shtëpisë brenda e jashtë, si ndodhi dorëzimi i Tush Frrokut në Polici?