VIDEO: Shpend Ahmeti sfidohet për mbjelljen e 5 mijë fidanëve në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është sfiduar për mbjelljen e jo vetëm një druri ashtu siç po praktikohet së fundmi në Kosovë por të 5 mijë sish në hapësirat e kryeqytetit.

Këtë sfidë të parit të Prishtinës ia drejtoi drejtori i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishta.

Gjatë aksionit që ka nisur tash e një javë, e ku do të mbillen mbi 3 mijë fidanë përreth hapësirës së Qendrës së Studentëve, Sfishta deklaroi për KALLXO.com se forma më e mirë e sfidimit është ajo institucionale.

“Iniciativa për mbjelljen e vetëm një fidani është e mirë por mos të harrojmë që fidanit i nevojitet mirëmbajtje dhe kujdes. Andaj mendoj që forma më e mirë me pasë më shumë gjelbërim është që ju me i sifdu institucionet me mbjellë aty ku janë, aty ku munden, jo vetëm individët. Unë e sfidoj Shpend Ahmetin, pasi ne në Prishtinë po jetojmë. E sfidoj atë të ndjek rrugën që e po e ndjekim ne, që në hapësirën e institucionit tonë po i mbjellim rreth 3.000 fidanë përreth krejt rrethojës së konvikteve – ku i kemi çelur edhe bunarët që të sigurohemi që këta fidanë që po i mbjellim sot do të mirëmbahen”, theksoi ai.

Sipas Sfishtës, në Prishtinë ka mjaft hapësira ku mund të kontribuohet për gjelbërim.

“Le të gjen kryetari i Komunës një vend të përshtatshëm ku ka edhe nevojë dhe të sfidojë ai dikë tjetër, pasi unë po e sfidoj atë. Atij më së paku  i duhen 5 mijë fidanë. Kampusi i Universitetit të Prishtinës është vendi ideal dhe ka hapësirë të mjaftueshme për mbjellje”, potencoi ai.

Drejtori i Qendrës së Prishtinës i ofroi kryetarit Shpend Ahmeti përkrahje të plotë për këtë sfidë, përveç parave.

“Ne i ofrojmë çdo ndihmë përpos financiare, sepse ai është më i fortë, i ka 60 milionë buxhet, që shpesh po i dalin suficit, e ne i kemi 6 milionë. Pyeteni atë se pse nuk ka mbjell kaq dru deri tash”, tha ai, duke e vlerësuar si ditë të mbarë aksionin e sotëm ku morën pjesë edhe stafi i organizatave BIRN dhe Internews Kosova, redaksitë e të cilëve janë qiraxhinj në objektin e Mensës së Studentëve.

Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN-it, tregoi se është sfiduar nga Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë për mbjelljen e një peme.

“Kur u sfidova, mendova vet më vete, me një lule s’çel pranvera! Çka bëhet edhe nëse unë po e mbjellsha një fidan e po dal në fotografi, mos po e bëj namin? E thirra drejtorin e Mensës, ku jemi me qira dhe i thash: “Ne jemi 30 punëtorë në Prishtinë, a ke ti vend për 30 fidanë që i kishim mbjellë por edhe që nuk ishin vyshkë pas një viti?”, tha Xharra duke shpjeguar si filloi ky aksion.

“Drejtori i Mensës, Fatmir Sfishta, më tha: “Unë i kam jo 30 por 3.000 fidanë që dua t’i mbjell, e kam biologun që na tregon cili dru ka sukses këtu, kam bunarë që mund t’i ujis e t’i mirëmbaj këta dru afatgjatë sepse mendoj që kjo është punë e imja si institucion’”, shpjegonte Xharra duke e përshkruar se si reagoi Sfishta në këtë ‘sfidim’.

Sfishta tregoi se ai e pranoi sfidën dhe siguroi mbi 200 fidanë që u mbollën rreth e përqark redaksisë së KALLXO.com dhe rreth e përqark konvikteve.

“Kjo është ditë e mbarë, sepse na janë bashkuar edhe shoqëria civile dhe mediat dhe ky projekt e përmbyll ciklin e mbjelljeve të druve, shkurreve dhe fidanëve  në Qendrën e Studentëve – edhe unë e kam një ëndërr, që pas disa viteve këto pisha që i kemi mbjellë te rrethoja e konvikteve të rriten deri në atë masë sa ta heqim rrethojën krejt e të funksionojnë pishat si rrethojë”, tha Sfishta.

Në anën tjetër, biologu  Fahri Osmani  tha për KALLXO.com se me këtë projekt synohet ofrimi i një ambienti më të pastër dhe ekologjik për të gjithë studentët.

“Krahas që ndihmon në rregullimin e hapësirës së jashtme për studentët konviktorë, kjo paraqet edhe një oazë të gjelbër për kryeqendrën tonë. Qendra  e studentëve është shembull i mirë, që prej të gjitha institucioneve, i kushton një kujdes mjaft të madh gjelbërimit të hapësirave publike”, u shpreh Osmani, i cili njëherësh është drejtor i Mensës së Studentëve.

Ai shtoi se në këto hapësira kanë bërë edhe përgatitjen teknike për mirëmbajtjen e fidanëve të mbjellë.

“Ky projekt është i përcjellë edhe me kushte të tjera teknike. Ne kemi bërë edhe hapjen e tri puseve ku bëhet ujitja. Po ashtu e kemi të instaluar edhe sistemin pikë-pikë për ujitjen e tyre, i cili mundëson që të gjithë fidanët të jenë të ujitur”, shpjegoi Osmani.

Projekti për mbjellën e druve, fidanëve dhe shkurreve në kampusin e Qendrës së Studentëve, pritet të përfundojë brenda 10 ditësh, ku planifikohet të mbillen 3.000 fidanë përqark 3.000 metrave rrethojë që i kufizojnë konviktet me qytetin.

Ky projekt nuk është iniciativa e parë e qëndrueshme e Mensës së Studentëve si institucion. Dy konvikte kanë instaluar panele solare me ç’rast kanë siguruar që i gjithë uji i nxehtë që përdoret në këto konvikte të nxehet prej paneleve, e jo prej rrymës, gjë që ka ulur shpenzimet e rrymës për 30%.

“Ne kujdesin për ambient s’e kemi sefte. Vetëm se tash po e marrim vëmendjen e juaj si medie, kur ka ndodh sfidimi për të mbjell një pemë të vetme”, tha Sfishta.

Tash sfida për mbjelljen e një druri merr kah të ri meqenëse po sfidohet institucioni në mbjelljen e drurëve, jo vetëm një individ.

“E tash po ia kthej sfidën Donjeta Gashit që e ka filluar këtë iniciativë. Ne qytetarët e treguam veten me nga një fidan, tash sfidoje shefin e Qeverisë, shefin tënd, me mbjell jo vetëm një pemë por disa pemë në rrethojat e kryeministrisë dhe ministrive të cilat e pranojnë këtë sfidë”, tha Jeta Xharra.