VIDEO - Ramush Haradinaj dëshmon për deportimin e ‘gylenistëve’

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka pranuar ftesën për të raportuar në Komisionin Parlamentar për hetimin e rastit të deportimit të gjashtë shtetasve turq në mars të këtij viti.

Në një ditë më Haradinajn ishte planifikuar që të intervistohet edhe Presidenti Hashim Thaçi por kryetari i këtij komisioni Xhelal Sveçla tha se nga ana e presidentit nuk kanë marrë asnjë përgjigje në lidhje me raportimin e tij.

Presidenti është tash e disa ditë në një vizitë në ShBA.

Anëtari i Komisionit Muharrem Nitaj (AAK) tha se pjesa e intervistimit të presidentit mbetet në ditët e radhës.

Anëtari tjetër Hajdar Beqa (PDK) kërkoi që të hiqet nga rendi i ditës pika për raportimin e Presidentit.

“Ta aprovojmë rendin e ditës së bashku me pikat e rendit, presidenti të intervistohet kur të kthehet dhe në përputhje me agjendën e tij. Le të hiqet nga rendi i ditës intervistimi i Presidentit pasi që ai nuk është në Kosovë”, tha Beqa.