VIDEO- Arrestohet për vjedhje të arkës së ndihmave në furrë të bukës

Gjatë javës së kaluar, në një furrë në komunën e Drenasit është vjedhur arka e cila ishte vendosur për mbledhje të parave për skamnorët.

Personi i cili kishte vjedhur arkën ishte filmuar nga kamerat e sigurisë në furrë.

Një qytetar e ka raportuar rastin në KALLXO.com.

Policia ka njoftuar se ka arritur ta identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin për vjedhje.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Me datën 2 qershor, policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë personin e dyshuar, V.A, 46 vjeç”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Ahmeti tha se me urdhër të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me pronarin e furrës Sami Paldedaj, i cili tha se në arkën e vjedhur kanë mundur të jenë rreth 100 euro.

“Nuk e di saktë sepse ato para nuk numërohen, por mendoj se kanë qenë rreth 100 euro”, tha Sami Paldedaj.

KALLXO.com ka siguruar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë, ku shihet i dyshuari duke vjedhur arkën.