Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit - 23.11.2018

Veseli përshëndet ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin e Maqedonisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar deputetët e Kuvendit të Maqedonisë, të cilët e kanë ratifikuar Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë e Greqisë.

Veseli ka thënë se nëpërmjet kësaj vote konsolidohet paqja dhe stabiliteti në mbarë rajonin dhe dëshmohet edhe njëherë se dialogu e mirëkuptimi është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet e trashëguara nga e kaluara.

Sipas kreut të Kuvendit të Kosovës, vota e deputetëve shqiptarë të Maqedonisë ishte vendimtare në këtë proces.

Me votimin e sontëm është miratuar ndryshimi i Kushtetutës dhe nga tani Maqedonia ka emër të ri – Maqedonia e Veriut.

Marrëveshja e Prespës është ratifikuar me 81 vota për.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, vendimin e Kuvendit e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen vendit, pasi me këtë mbyllet kontesti 27 -vjeçar me Greqinë për çështjen e emrit, që ka mbajtur për aq kohë të bllokuar edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian.

“Kuvendi i Maqedonisë që nga pavarësia ka sjellë vendime të shumta, vendime të mira për të mirën e vendit, por vendimi i sotëm është ndër më të rëndësishmit. Është vendim i rëndë, por vendimi më i mirë i mundshëm me Greqinë për të ardhmen e vendit. Edhe VMRO DPMNE-ja e di se vendim më i mirë nuk mund të arrihej. Ajo, gjithashtu, e di se pa një marrëveshje me Greqinë nuk mund të ketë as NATO, e as Bashkim Evropian”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, raporton Radio Evropa e Lirë.

Opozita nuk ka marrë pjesë në seancë, ndërsa drejtuesit e saj për tre ditë me radhë sa edhe kanë zgjatur bisedimet për sigurimin e votave, kanë protestuar para Kuvendit, duke e kritikuar marrëveshjen si “kapitulluese për kombin, identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase”.

Ky është postimi i plotë i Kadri Veselit në profilin e tij në Facebook:

“Urimet më të mira për votën historike që kolegët e mi në Shkup sapo kanë dhënë për të ratifikuar marrëveshjen e Prespës. Ky vendim zhbllokon njëherë e mirë rrugën e integrimeve për shtetin mik tonin dhe përshpejton anëtarësimin në NATO dhe BE, jo vetëm të Maqedonisë por të mbarë rajonit tonë. Nëpërmjet kësaj vote konsolidohet paqja dhe stabiliteti në mbarë rajonin dhe dëshmohet edhe njëherë se dialogu e mirëkuptimi është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet e trashëguara nga e kaluara. Edhe njëherë vota e bashkombasve tanë u dëshmua vendimtare për këtë rrugëtim prandaj merita e mirënjohje të veçantë iu takon deputetëve shqiptarë që e shtynë përpara këtë proces.”

11 Janar 2019 - 20:25

Naser Sertolli 11/01/2019 - 20:25
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend