Veseli pas dështimi të Kosovës në INTERPOL, kërkon mbështetjen e opozitës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është shprehur se më i fuqishëm se fakti i mos anëtarësimit i Kosovës në INTERPOL, sipas tij, është fakti se as Serbia me politikën e saj të pengimit ndërkombëtarë nuk mund ta ndalin integrimin ndërkombëtar të tij.

Kadriu përmes një postimi ka thënë se Kosova duhet të krenohet me policinë e saj,  duke e quajtur policia më profesionale në rajon.

“Sot nuk ishte ditë e mirë për Kosovën. Por, më i fuqishëm se fakti i mos anëtarësimit në Interpol është fakti se as Serbia me politikën e saj të pengimit ndërkombëtar të Kosovës, as krimi i organizuar, e as terrorizmi, nuk do të mund ta ndalin fuqizimin e shtetit të Kosovë dhe integrimin ndërkombëtar të tij”, ka shkruar Veseli.

Ai ka kërkuar nga partitë opozitare pas këtij dështimi të Kosovës, që t’i thërrasin arsyes që për t’iu bashkuar institucioneve të vendit.

“Në këtë kontekst, do të ishte mirë dhe patriotike sigurisht që partitë opozitare, në vend që të bashkëndjejnë me Serbinë gëzimin për mos-anëtarësimin e Kosovës në Interpol, e t’i fërkojnë duart për pushtet, t’i thërrasin arsyes dhe të gjejnë forcën e duhur për t’iu bashkuar institucioneve të vendit në përballje të përbashkët me sfidat që kemi përpara si shtet e shoqëri”, ka shkruar kryeparlamentari.

Tutje, në këtë njoftim të tij ka shtuar “Nxitja e përçarjes së brendshme, politikat egoiste dhe bllokuese janë qartësisht dëmtim i Kosovës dhe i ndihmojnë fuqizimit të pozicionit ndërkombëtar të Serbisë në raport me Kosovën. Kjo sjellje politike duhet të marrë fund. Sa nuk është bërë vonë, për të gjithë”.