Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me  Ndihmës Sekretarin amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit të SHBA-së Todd D. Robinson, ka deklaruar se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme amerikane.

E para e shtetit ka potencuar se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në INTERPOL, e që sipas saj, ky anëtarësim do të jetë i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së.

“Në takim, Ndihmës Sekretarin e informova për synimin strategjik të Kosovës në INTERPOL, anëtarësim i cili do të jetë i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së. Ky anëtarësim do të kontribuonte thelbesisht në rritjen e kapaciteteve tona duke përmirësuar përgjigjen institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të garantimit të sigurisë publike për secilin qytetar të Kosovës, pa dallim. Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët”- është shprehur Osmani.

Ajo e ka falënderuar Robinsonin për kontributin e tij personal dhe të Byrosë që ai e udhëheq.

“Kosova u detyrua që të fillonte nga zero, ndërsa me ju, ne kemi sjell programe vendimtare në përpjekjet e tona të përbashkëta në luftën kundër narkotikëve, krimit te organizuar, trafikimit e njëkohësisht kanë kontribuar edhe në përforcimin e kapaciteteve tona për sundim të ligjit që është prioritet i institucioneve tona. Këto suksese janë rezultat i bashkëpunimit tonë me partner të rëndësishëm, siç është Byroja, e natyrisht dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit me SHBA-të”- tha Osmani.

“Disa nga arritjet me të rëndësishme të institucionet tona e kanë vulën e Byrosë që udhëheq Robinson, duke përfshirë edhe vetë themelimin e Policinë e Kosovës, e cila sot gëzon besimin e mbi 95% të qytetarëve tonë. Po ashtu edhe të Agjencisë Kosovare të Forenzikës, Akademisë për Sigurinë Publike, si dhe Inspektoratit të Policisë”- shtoi ajo.

Sipas Osmanit, falë INL-së  përgjatë viteve janë bërë reforma pozitive në institucionet përkatëse në Kosovë dhe është shënuar progres i vazhdueshëm edhe në luftën kundër krimit të organizuar, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Nga ana e tij, Robinson, deklaroi se SHBA-ja do ta mbështesë Kosovën në përpjekjet për të ndërtuar institucione jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit.

“Fakti që jam këtu tregon mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për qytetarët e Kosovës. Porosia ime është që SHBA-ja është këtu për t’iu mbështetur në përpjekjet e tuaj për të ndërtuara institute jetike të sigurisë e gjyqësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë”, ka thënë ai.

Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit të SHBA-së, Todd D. Robinson, ka arritur në Kosovë, më 20.03.2024 në mëngjes.

Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, Robinson me të arritur është ndalur në pikën kufitare të Vërmicës për të diskutuar rolin jetik të bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar.