Gjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt - Foto: KALLXO.com

Vëllai i të Akuzuarit Dëshmoi në Gjykimin për Vrasjen e Donjetës

Nystret Pajazitaj ka dëshmuar sot në gjykimin ku vëllai i tij, Naseri, po gjykohet për vrasjen e kushërirës, Donjeta Pajazitajt.

Gjatë dëshmisë para trupit gjykues, Nystreti tregoi se më 9 nëntor të vitit 2015  kishte qenë duke shkuar në ceremoninë e varrimit të një bashkëfshatari dhe atë ditë në rrugë e kishte parë të pandehurin.

“Rreth orës 13:40 kam dalë nga shtëpia dhe bashkë me vëllain tim, Kadriun, jemi nisur rrugës e te udhëkryqi i Drumit aty e kam parë Naserin edhe disa bashkëfshatarë tjerë duke qëndruar. Ne kemi vazhduar për varrim, ndërsa Naseri ka mbetur tek Drumi. Ai na tha se vjen me kerr”, tha dëshmitari.

Ai tha se nuk i kujtohet ta ketë parë Naserin në varrimin e bashkëfshatarit. “Nuk e kam parë në varrim Naserin, nuk me kujtohet”, tha ai.

Dëshmitari tha se atë ditë nuk e ka parë fare kushërirën e tij, Donjeta Pajazitajn, kurse për zhdukjen e saj tha se kishte dëgjuar pas dy ditësh.

“Pas dy dite kam dëgjuar për zhdukjen e Donjetës. Kam qenë në një lagje për ngushëllime dhe aty duke biseduar kam dëgjuar për zhdukjen e saj”, tha Nystret Pajazitaj.

Ai disa herë nuk u pajtua me kontekstin e deklaratës të dhënë në prokurori kur u ballafaqua gjatë dëshmisë se tij nga prokurorja.

Nystreti po ashtu tregoi se vëllai i tij ishte liruar nga burgu menjëherë pas luftës në Kosovë.

Dëshmia e kushëririt të dy palëve

Jetmir Pajazitaj, kushëri i afërt me palën e dëmtuar dhe të akuzuar, ka dëshmuar sot para trupit gjykues se me datën 9 nëntor të vitit 2015 kur ishte zhdukur kushërira e tij, Donjeta Pajazitaj, e kishte parë atë duke kaluar rrugës së fshatit.

Ai tha se në atë moment ishte duke qëndruar tek vendi i quajtur Drumi në Strellc të Ulët bashkë me disa bashkëfshatarë të tjerë. Ndër ta kishte qenë edhe i akuzuari Naser Pajazitaj.

“Unë e mbaj mend atë ditë kur ka qenë varrimi i një bashkëfshatari. Fillimisht kam dalë tek Drumi, pastaj kam shkuar me ble bukë dhe sërish jam kthyer te Drumi. Aty kam qenë me djalin e axhës, Azemin, me Kushtrim Pajazitajn dhe tani te akuzuarin Naser Pajazitaj. Kemi qëndruar aty gjatë”, tha ai.

Derisa ishin duke qëndruar tek udhëkryqi i njohur si “Drumi”, ai tha se më pas kishte parë Donjeta Pajazitajn duke ardhur rrugës bashkë me axhën e tij, Qamilin.

“Derisa ne ishim duke qëndruar tek Drumi, unë e pash Donjeta Pajazitajn duke ardhur me axhën tim, Qamili Pajazitajn. Ata na kanë përshëndetur, Donjeta ka vazhduar rrugës përpjetë kah Jusajt, kurse Qamili për të shkuar në varrim, por veç sa është nisur për të shkuar në varrim është kthyer bashkë me disa punëtorë të KEK-ut për rrymë diçka në shtëpinë e vet”, tha Jetmir Pajazitaj.

Ai shtoi se Naser Pajazitaj e kishte pasur veturën e parkuar afër vendit ku ishin duke qëndruar. Pas disa minutave ai tha se Naseri me veturën e tij ishte nisur në drejtim të rrugës së Jusajve dhe nuk kishte shkuar bashkë me ta në varrim.

“Pas 5 ose 10 minutave nuk me kujtohet mirë, Naseri me veturën e tij është nisur përpjetë rrugës së Jusajve, pastaj ne jemi nisur për në varrim rrugës tjetër”, tha ai, raporton KALLXO.com.

Dëshmitari tutje theksoi se nuk e kishte parë të akuzuarin Naser Pajazitaj në ceremoninë e varrimit të bashkëfshatarit të tyre atë ditë.

Pasi përfundoi dëshminë e tij, Jetmir Pajazitaj u ftua nga trupi gjykues të jetë prezent edhe nesër gjatë seancës gjyqësore.

Dëshmia e kolegut të punës i Donjetës

Gjatë seancës së sotme ka dëshmuar edhe ish-kolegu i punës i Donjeta Pajazitajt, Bekim Krasniqi nga Juniku.

Ai tha së me Donjeta Pajazitajn kishin punuar së bashku në marketin “Liridoni” përafërsisht 4 muaj.

“Donjeta ka pasur sjellje të mira në punë dhe nuk kam dëgjuar se e ka penguar dikush në punë”, tha dëshmitari Krasniqi.

Ai tha së gjatë ndërrimit të pasdites me kërkesën e prindit të Donjetës ajo ka udhëtuar me veturën e tij drejt Strellcit pas punës.

“Me kërkesën e prindit të saj, bacës Halil, Donjeta ka udhëtuar me mua kur ka qenë ndërrimi i pasdites bashkë me disa kolegë të tjerë. Por javën e fundit nuk ka udhëtuar me mua sepse nuk e kam pasur veturën në dispozicion”, tha Bekim Krasniqi.

Ai tha se Donjeta gjithmonë kishte zbritur tek udhëkryqi i fshatit Strellc i Epërm dhe aty e prisnin familjarët e saj.

Ish-kolegu tregoi edhe për ditën kritike kur e kishin vërejtur se Donjeta Pajazitaj nuk kishte ardhur në punë.

“Ajo e ka respektuar gjithmonë orarin e punës. Kolegët thanë se nuk ka ardhur Donjeta në punë. Dikur tezaku i saj, kolegu Enisi Ukaj, e ka telefonuar prindin e Donjetës dhe e ka lajmëruar se ajo s’ka ardhur në punë”, tha ai.

Dëshmia e bashkëfshatarit nga Strellci

Edhe Sylë Jusaj nga Strellci ka dëshmuar sot në gjykimin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt nga fshati i tij.

Jusaj tha se edhe ai ditën e 9 nëntorit të vitit 2015 ishte nisur nga Peja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të një bashkëfshatarit të tyre.

Ai tha se gjatë rrugës ishte ngutur për të arritur me kohë tek varrezat, kurse gjatë rrugës tha së nuk e kishte parë askënd.

Ndërsa në varrimin e bashkëfshatarit të tij tha se nuk i kujtohet ta ketë parë Naser Pajazitajn.

“Në varrim nuk me kujtohet se a e kam parë Naserin”, tha ai.

Seanca tjetër mbahet nesër, kur pritet të dëgjohen edhe disa dëshmitarë.

Një ditë me herë, KALLXO.com raportoi për dëshminë e nënës së Donjeta Pajazitajt dhe deklarimit e dëshmitarëve të tjerë.

Nëna e Donjeta Pajazitajt Dëshmon për Vrasjen e Vajzës së Saj

Në qershor të këtij viti, gjatë seancës së shqyrtimit fillestar, KALLXO.com kishte kapur pamje kur i akuzuari Naser Pajazitaj derisa po dilte nga salla e gjykimit ishte grushtuar nga vëllai i viktimës.

Po ashtu, KALLXO.com raportoi edhe kur Naser Pajazitaj gjatë gjykimit ishte shprehur i pafajshëm për vrasjen e kushërirës së tij, Donjetës.

http://kallxo.com/rrefimi-naser-pajazitajt-per-vrasjen-e-donjeta-pajazitajt/

KALLXO.com kishte raportuar disa herë rreth këtij rasti që kishte tronditur mbarë opinionin publik në Kosovë.

Donjeta Pajazitaj disa javë ishte shpallur e zhdukur derisa u gjet e vrarë në bjeshkët e Strellcit të Deçanit.

Për vrasjen e Donjetës dhe zbardhjen e këtij rasti disa herë u organizuan protesta dhe marshe paqësore.