Varroset polici Malsor Dashi (FOTO)

Me nderime shtetërore është varrosur zyrtari policor, Malsor Dashi që u gjet i vdekur në lumin Lepenc pasi dyshohet se u aksidentua me veturë zyrtare së bashku me kolegun Armend Trena.

Aksidenti kishte ndodhur të shtunën dhe pas disa ditësh kërkime, trupi i Dashit u gjet nga ekipet zhytëse në lum.

Kërkimet po vazhdojnë për zyrtarin tjetër policor, Armend Trena.

Në ceremoninë e varrimit ishte pjesëmarrës Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili tha se familja duhet të ndihet krenare me djalin e tyre.

“Në fakt sot nuk është ditë e lehtë për ne po ndahemi me një djalosh të ri me një të ri i cili ishte i gatshëm ti shërbej atëdheut, po ndahemi nga një kontributdhënës të paqes dhe  lirisë së Kosovës. Familja duhet të jetë e fortë për  çfarë djali ka rrit”, tha Veseli.

Ministria e Punëve të Brendshme dërgoi telegram ngushëllimi duke çmuar lart punën e tij në Policinë e Kosovës

“E nderuara familje Dashi, Ministria e Punëve të Brendshme me pikëllim të thelle pranoi lajmin per vdekjen e Malsor Dashit. Me 28 prill 2018 deri sa ishte duke u kthyer nga një detyrë pësoi aksident. E nderuara familje Dashi, ju shprehim ngushëllime të sinqerta qoftë i lehtë dheu i Kosovës për të”, thuhej në telegram.

Ismet Dervishi, toger në Kaçanik po ashtu tha se Dashi ishte shembull se si duhet shërbyer atdheut

“Ndihemi të trishtuar sot. Kemi shumë të  vështirë të flasim e të gjejmë fjalë të duhura në këtë moment si ky. Qenka e vështirë edhe për eprorin të gjej fjalë për policin e tij. Malësori na iku në momentet kur i duhej më shumë atdheut”, tha Dervishi.

Ndërsa Besim ilazi, Kryetar i Kaçanikut po ashtushprehu ngushëllimet për familjen

“Më lejoni qe në emër timin dhe të komunës të përcjell tek ju ngushllimet e përzemërta për policin shembullor Malsor Dashin. Kjo ceremoni varrimi është e dhimbshme por e dinjitetshme për një vlla shok e mik e sidomos për një polic shembullor. Malësori si i ri e me plot vullnet kishte vendosur qe tërë potencialin qe i kishte dhënë jeta ta kthej në sigurinë e popullit të tij”, tha Ilazi