Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Rezultatet preliminare të DnV-së: LVV-ja prinë me 40.4 % të votave

Rezultatet preliminare të Demokracisë në Veprim (DnV) vendosin Lëvizjen Vetëvendosje me 40,4 % (Margjina e gabimit +/-1,44%).

DnV thotë se ka pasë në terren 500 vëzhgues të shpërndarë në 500 vendvotime, sipas mostrës përfaqësuese. 

E dyta, sipas DnV-së është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 21,7% (Margjina e gabimit +/-1,45%).

E treta listohet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17,5% (Margjina e gabimit +/-0.97%).

Në vendin e katërt renditet koalicioni AAK- NISMA me 7,2% (Margjina e gabimit +/-0.82%).

I pesti është Koalicioni për Familjen me 2,4 % (Margjina e gabimit +/-0,21%).

Ndërkaq partitë serbe, Lista Serbe 5,4% (Margjina e gabimit +/-1,68%) dhe SPO me 0,6% (Margjina e gabimit +/-0,19%)

“Dalja e përgjithshme e votuesve deri në mbyllje të vendvotimeve ishte 44.1%, me margjinë gabimi +/- 0,84%. Këtu nuk janë të llogaritura dalja e votuesve që kanë votuar me kusht dhe atyre që kanë votuar nga jashtë vendit”- njofton DnV.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka përditësuar të dhënat për shkak të problemeve me sistemin.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka thënë se për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem. 

Kështu është përgjigjur ai në pyetjen e KALLXO.com pas një huqje për votat në Pejë.

“Të gjitha ekipet e KQZ-së janë duke punuar në terren dhe duke dërguar të dhënat të cilat po bëjmë përpjekje që t’i transmetojmë në kohë sa më të shpejtë”- tha Elezi.

Ai tha se KQZ është duke mbledhur të dhënat pas numërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet. Janë evidente probelemet teknike në platformë. 

“Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ”- shtoi ai.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë zgjedhjet e gjashta me radhë që u mbajtën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17.02.2008.