Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Raportimet për deklaratën e presidentes së KE-së për çështjen e targave

“Çështja e targave të automjeteve do të zgjidhet pa krizë”, thuhet në titullin e artikullit të publikuar nga Ekonomia Online, i cili i referohet një deklarate të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë qëndrimit në Prishtinë. I njëjti artikull më pas është ripublikuar nga Agjencia serbe e lajmeve ‘Tanjug’.

Von der Leyen kishte komentuar shkurt çështjen e targave dhe kishte deklaruar se “po punohet për të gjetur një zgjidhje” dhe nuk kishte deklaruar se “do të zgjidhet pa krizë”.

“Është më se e domosdoshme të respektohen rregullat, ndërsa rregullat janë të qarta dhe duhet të respektohen në çdo shtet njëkohësisht. Nëse ka periudhë tranzicioni, ai tranzicion duhet të jetë gjithëpërfshirës, të zhvillohet si duhet dhe unë e di që po punohet për të gjetur një zgjidhje dhe ju përgëzoj për mundimet tuaja dhe çdo gjë që keni bërë në kuadër të dialogut” – kishte deklaruar von der Leyen.

Sipas afatave, më 31 tetor 2022 skadon afati për konvertimin e targave me akronimet e qyteteve të Kosovës në targat RKS. Në të njëjtën ditë është paralajmëruar edhe bllokimi i rrugëve në veri nga Lista Serbe nëse fillon konfiskimi i automjeteve të qytetarëve serbë. 

Vendimi për një shtyrje tjetër të afatit për ri-regjistrim i takon Qeverisë së Kosovës, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se vendimi nuk do të shtyhet përsëri dhe se nga 31 tetori nëpër Kosovë nuk do të lëvizin automjete me targa serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës.