Qeveria Miraton Nismën për Marrëveshjen për Sigurime Sociale me Zvicrën

Në mbledhjen e qeverisë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se efektet pozitive që do të dalin nga kjo marrëveshje janë të mëdha për qytetarët e Kosovës të cilët kanë punuar dhe punojnë në Zvicër.

“Qytetarëve të dy shteteve do t’u mundësohet lëvizja e lirë që të punojnë dhe të realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës dhe të drejta tjera nga fusha e sigurimit social”, tha Abrashi.

Sipas tij, me këtë marrëveshje, qytetarëve të Kosovës të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Zvicër do t’u mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejtë që pensionin e tyre ta marrin në Kosovë.

Në bazë të kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet e drejta për t’i bashkuar edhe periudhat kontributive.

“Me miratimin në parim të  kësaj nisme nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si bartëse e këtij procesi në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, sikurse Ministria e Jashtme,  do të angazhohet në negocimin e kësaj marrëveshje duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera të aplikueshme. Miratimi i kësaj nisme e autorizon Ministrinë që të filloj menjëherë negocimin e marrëveshjes për sigurime sociale mes Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, negociata që parashihet të fillojnë javën e ardhshme”, tha ministri Abrashi.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa vlerësoi rëndësinë e kësaj marrëveshje, e cila adreson problemet e qytetarëve të Kosovës që kanë punuar në Zvicër.

“Unë e konsideroj se është një hap shumë i rëndësishëm, sepse ka pas shumë probleme sa i përket sigurimeve sociale me Zvicrën dhe mendoj se është një sukses i Qeverisë që ne ta përmbyllim këtë proces tepër të rëndësishëm që drejtpërdrejt adreson problemet e qytetarëve tanë që kanë punuar atje”, tha kryeministri Mustafa.

Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe dy udhëzime të parapara me Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Udhëzimi Administrativ për Mënyrën e Kompensimit Përfshirë edhe Llogaritjen e Kompensimit për Dëmtimet e Shumëfishta, rregullon kërkesën për kompensim e cila është e përcaktuar në detaje, përfshin plotësimin e saj, dorëzimin dhe afatin brenda së cilit duhet të dorëzohet. Kjo për faktin që të bëhet sa më e lehtë qasja e viktimave në kompensim.

Ndërsa, udhëzimi administrativ për Regjistrat për Parashtruesit e Kërkesës dhe për Vendimet e Lëshuara rreth Kompensimeve përcakton rregullat dhe kushtet për mbajtjen e regjistrave, duke filluar nga pranimi i lëndës, deri tek nxjerrja e vendimit dhe komunikimin e vendimit tek pala. Po ashtu, rregullon edhe pjesën e arkivimit të dokumentacionit dhe qasjes në evidencë, si dhe dispozitave që janë të nevojshme gjatë punës së komisionit, i cili do të bëjë vlerësimin e kërkesave për kompensim.

Aprovimi i këtyre dy udhëzimeve administrative, që u ndihmua nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, bën kompletimin e legjislacionit të nevojshëm të kësaj fushe dhe rrjedhimisht mundëson fillimin e kompensimit të viktimave të krimit, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Gjatë mbledhjes është aprovuar edhe vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronave shoqërore të KBI “Progres” Prizren, të cilat preken nga realizimi i Projektit për ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza, Zona Kadastrale Vllashnje, Komuna Prizren.