“Lufta” e bandave në Shkodër, vriten vëllezërit Bilali

Dy vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali, 59 dhe 61 vjeç, u qëlluan në hyrje të shtëpisë së tyre nga persona ende të panjohur. Dyshohet se vrasja është vijim i një përplasje mes bandash, që bashkë me dy të vrarët e të shtunës ka shkaktuar 8 viktima.

Astrit dhe Brahim Bilali u qëlluan sipas policisë në hyrje të shtëpisë së tyre. Autorët që dyshohet se kanë përdorur maska, qëlluan nga një makinë në lëvizje duke vrarë të dy vëllezërit. Pak minuta më vonë policia gjeti të djegur makinën që dyshohet se u përdor në krim.

“Me datë 30.03.2019, rreth orës 09:45, në lagjen “Guerile” në vendin e quajtur “Zooteknika”, nga persona ende të pa identifikuar janë vrarë me armë zjarri shtetasit A. B. 59 vjeç dhe B. B., 61 vjeç (vëllezër)”, thuhet në njoftimin e policisë së Shkodrës.

Viktimat, babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit i arrestuar si i dyshuar se është pjesë e grupit kriminal “Bajri” i goditur nga policia në shtator 2018, ishin të njohur në Shkodër pasi merreshin me hipizëm. Vëllezërit u arrestuan edhe në qershor 2016 të akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Sipas njoftimit të policisë në atë kohë, në banesën e Astrit Bilalit dhe tokën e Brahim Bilalit, u sekuestruan 3 kallashnikovë, një armë automatike e shkurtër, tritol, kapsolla elektrike, një shotgan dhe një çifte pa leje. Po ashtu u gjet një sasi e madhe municionesh e mjetesh të tjera luftarake.

Megjithatë asnjë nga vëllezërit nuk u dërgua në gjyq, ndërsa përgjegjësia për armët sipas vendimit të Gjykatës së Shkodrës iu ngarkua djalit të Astrit, Astmer Bilalit. Ky i fundit siç del nga vendimi i gjykatës u dënua atëherë me vetëm 8 muaj burg në dhjetor 2017, ndërsa gjykata edhe pse dëshmitë kundër tij ishin dhënë prej vetë xhaxhait e gjeti atë të pafajshëm për një sërë akuzash për armëmbajtje pa leje e prodhim municionesh.

Brahim Bilali ishte po ashtu i përfshirë në politikë. Ai ishte kryetar i shoqatës “2 Prilli”, për ndër të viktimave të demostratave anti komuniste të 2 prillit 1991 dhe ka qenë edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit.

Atentati ka ndodhur sipas një skenar që është përsëritur disa herë në Shkodër, ndërsa dyshohet se krimi është vijim i një përplasje të dhunshme mes fiseve “Bajri” dhe “Lici”. Policia bëri me dije se makina e dyshuar se ishte përdorur në krim është gjetur në të njëjtën zonë, pranë shtëpisë së grupit rival, ku u braktis muaj më parë motorri që u përdor në vrasjen e tregtarit Fatos Ferracaku.

Përplasja mes dy grupeve që bashkë me dy viktimat e të shtunës mendohet se ka sjellë 8 viktima, besohet se filloi qershor 2017 pas një atentati me eksploziv ku u plagosën 7 persona.

Vrasjet u pasuan me ekzekutimin e një ish-oficeri policie Boran Berçama dhe bashkëjetueses së tij Silvana Ndoci, zhdukjen e dy personave dajë e nip, vrasjen e Fatbardh Licit i dënuar më herët për vrasje, dhe krime të tjera për të cilat ende nuk ka autorë të ndaluar apo të akuzuar.

Disa muaj më parë në nëntor 2018 në pazarin e Shkodrës u qëllua për vdekje Fatos Ferracaku, më herët ishte vrarë kushuriri i tij Arjan Ferracaku.

Në shtator të vitit të shkuar, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona përfshi Astmer Bilalin, djali dhe nipi i viktimave të atentatit të së shtunës, u arrestuan në Shqipëri, Hollandë, Belgjikë e Spanjë.

Policia e prokuroria lanë të kuptohej në njoftimet pas arrestimeve se veç një morie akuzash përfshi vrasje të pazbardhura të viteve 2000 dhe trafik narkotikësh, grupi ishte përfshirë edhe në krimet e fundit në Shkodër.

Asnjë nuk është akuzuar zyrtarisht për vrasjet e fundit, megjithëse besohet se krimet janë vijim i përplasjes mes dy grupeve vetëm njëri prej tyre u godit dhe anëtarët e tij u arrestuan.