Ilustrim - Forenzika

Vdekja e 19 vjeçares në Mitrovicë detaje nga hetimet

I fejuari i 19-vjeçares nga Mitrovica e cila dyshohet se është vetëvarë para disa ditësh është arrestuar me dyshimin se ai ishte shtytësi i kësaj ngjarje.

Në pak rreshta policia ka sqaruar se kanë arrestuar të fejuarin i cili po hetohet për shtytje.

Burime të KALLXO.com kanë konfirmuar se personi i arrestuar ishte në lidhje për disa vite me vajzën ndërsa ai për një kohë ishte duke jetuar në Gjermani.

I njëjti sipas këtyre burimeve ka ardhë në Kosovë në ditën e varrimit të viktimës dhe pas varrimit është arrestuar nga hetuesit e policisë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë pritet të kërkoj paraburgim ndërsa zëdhënësi i këtij institucioni hetimor ka thënë se nuk kanë shumë informacione nëse për të njëjtin ka pasur rast të hapur në Polici ose Prokurori.

“Është ndaluar një person i cili dyshohet për veprën shtytje në vetëvrasje dhe prokurorja e rastit po merret me këtë rast. Më herët, nuk e dimë nëse ka pasur ndonjë ankesë, në polici ose te ne” – tha Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë.

Sot gjatë ditës, Policia e Kosovës dha detajet për rastin tragjik në Mitrovicë.

Në njoftim thuhet se, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka thënë se viktima me inicialet B.Y e moshës 19 vjeçare ishte pranuar në spital pa shenja jete.

“Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion ndërsa policia ka filluar me veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit, ku në cilësi të dëshmitarëve janë intervistuar disa dëshmitarë kurse rasti me udhëzim të prokurorit ishte cilësuar si ,’Vdekje e dyshuar’”- njofton Policia.

Pas hetimeve, Njësisë së Hetimeve Rajonale në Mitrovicë Jug (NJHR) në koordinim me prokurorin, me datë 9 shtator të këtij viti, kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet L.SH, i cili siç njofton Policia është i fejuari i viktimës.

“Me datën 09.09.2022, rreth orës 21:40, si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga ana e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Mitrovicë Jug (NJHR) në koordinim me prokurorin e shtetit, hetuesit e NJHR-së kanë arrestuar personin L.SH, 19 vjeçar, duke u bazuar në dyshimet se viktima kohët e fundit kishte qenë në presion të vazhdueshëm nga i dyshuari, në këtë rast i fejuari i viktimës”- konfirmon Policia.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për kryerjen e veprës penale “Shtytja në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje”.