Këshilli i Investitorëve Evropianë dënon incidentin ku u përfshi Gani Thaçi

Këshilli i Investitorëve Evropianë ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj drejtorit të kompanisë private të sigurimeve “Illyria”, Gianni Sokolic.

Në një njoftim për media ata thonë se dënojnë fuqishëm këtë sulm dhe duke u shprehur se ngjarjet e tilla janë të papranueshme dhe tejet destruktive për një ambient të mirëfillët të biznesit në Kosovë.

Në fund EIC thekson se, si përfaqësuese e bizneseve të huaja që aplikojnë praktikat më të mira dhe standardet më të larta etike është e gatshme për të bashkëpunuar me të gjithë komponentët e shëndetshëm të shoqërisë civile dhe me institucionet e shtetit, për të shmangur që ngjarje të tilla fatkeqe mos të ndodhin përsëri në të ardhmen.

Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi dy ditë më parë se vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gani Thaçi, ka qenë i përfshirë në një përleshje në mjediset e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, konfirmoi për KALLXO.com se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij janë duke u hetuar si i dyshuar për këtë incident.

“Të dyshuarit janë Gani Thaci dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është inicuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, tha Berisha për KALLXO.com.

Lidhur me këtë ngjarje kishte reaguar edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai tha se është njoftuar për përfshirjen e vëllait të tij në një “përleshje sporadike fizike”.

Thaçi tha se asnjëherë nuk do ta arsyetojë asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky.

https://kallxo.com/bsk-ne-dileme-per-masat-ndaj-gani-thacit/