Arkiv | Foto: KALLXO.com

KDI bën thirrje që të arrihet një konsensus politik për dialogun

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar nëpërmjet një komunikate ndaj përpjekjeve për votimin e rezolutës së opozitës në Kuvend.

Kërkesa e KDI-së është që të gjitha rezolutat e hartuara nga pozita dhe opozita të bashkërendohen në një draft-rezolutë të përbashkët, që të artikulohen qartazi qëndrimet e shtetit të Kosovës në bisedime me Serbinë.

‘’KDI ka analizuar të gjitha draft rezolutat e prezantuara deri më tani nga partitë në pushtet dhe ato në opozitë dhe vlerëson se përmbajtja e tyre përputhet në disa pika siç janë:

– kërkesat për respektim të integritetit territorial të Republikës së Kosovës,

– kërkesa për njohje nga Serbia, dhe

– përcaktimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës si autoriteti përfundimtar që do të ratifikojë marrëveshjen e re potenciale me Serbinë’’, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Sipas këtij Instituti, Republika e Kosovës nuk duhet të vazhdojë fazën finale të dialogut pa një qëndrim shtetëror të artikuluar në Kuvend, pa strategji dhe pa përcaktuar temat e diskutimit, vijat e kuqe, afatet kohore, pritshmëritë e palës kosovare në këtë proces dhe pa legjitimuar me anë të një rezolute ekipin udhëheqës të Kosovës në këto bisedime.