Enver Sekiraqa në gjykatë (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

I dënuari për vrasjen e Triumf Rizës do të dëshmojë në gjykimin e Enver Sekiraqës

Arben Berisha që u dënua për vrasjen e policit Triumf Riza, do të dëshmojë në gjykimin e Enver Sekiraqës që po akuzohet se e ka nxitur këtë vrasje.

Mbrojtja e Sekiraqës propozoi dëgjimin edhe një herë të dëshmitarit Arben Berisha.

Sipas avokates Kosovare Kelmendi, dëgjimi i të dënuarit Arben Berisha është i nevojshëm pasi që  kemi të bëjmë me një trup të ri gjykues dhe ridëgjimi i këtij dëshmitari sipas saj do të kontribuonte në sqarimin e drejtë të kësaj çështje penale.

Propozim tjetër mbrojtja pati që të lexohen edhe deklaratat e  dëshmitareve: Bujar Makiqi, Fitim Avdiu, Fjolla Morina, Kemajl Dumnica, Jari Tonteri, Driton Hajdari, Refki Bunjaku, Astrit Dibra, Asrie Gashi, Naser Sekiraqa, Drita Hoxha, Osman Mehmeti, Ardian Grezda dhe Qenan Qerimi dhe një dëshmitar i të mbrojtur, të dhëna para gjykatëseve të Eulexit.

Ndonëse  kundërshtime pati nga ana e  Prokurorisë, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Shashivar Hoti e aprovoi propozimin e mbrojtjes  për leximin e deklaratave të dëshmitareve të lartë përmendur, si dhe në seancën e radhës në cilësinë e dëshmitarit  do të dëgjohet  Arben Berisha, si dhe dëshmitari Rrahim Abdullahu i cili ishte i rekomanduar nga Gjykata e Apelit.

Më pas kryetari i trupit gjykues d eklaroi  se me datën 28 shkurt, Gjykata kishte pranuar një parashtresë nga prokurori special Haki Gecaj, ku kishte njoftuar se kishte hequr dorë nga dëgjimi i dëshmitareve, Burim Osmani, Blerim Gashi, Naim Rudari, Naser Borovci, Fatmir Hajrizi, Musli Salihu, Bekim Rrustemi, dhe Andreas Hofverberg, ku sipas tij dëshmitë e këtyre dëshmitareve nuk janë relevante për çështjen e cila është objekt në këtë shqyrtimi gjyqësor.

Seancat e radhës u caktua të mbahet me datën 14 maj, ku do të dëgjohen dëshmitarët Arben Berisha dhe Rrahim Abdullahu, ndërsa me datën 23 maj do të bëhet administrimi i provave materiale.

https://kallxo.com/hetuesi-rrefen-per-funksionimin-e-grupit-te-enver-sekiraqes/

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur vrasjen e Triumf Rizës. Për këtë akuzë Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim.

Ndërsa për vrasjen e policit Riza në verën e vitit 2007, Gjykata e kishte gjetur fajtor Arben Berishën dhe e kishte dënuar me 35 vjet burgim.

KALLXO.com e ka përcjellë në tërësi gjykimin e Sekiraqës dhe dosja e plotë e këtij procesi mund të gjendet në këtë link.