Gjykimi për Keqpërdorim Pronash në Çagllavicë

Këta 23 persona Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës i akuzon për krim të organizuar, nxjerrje dhe ndihmë e nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit në vazhdimësi, plaçkitje, falsifikim i dokumentit zyrtar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit në vazhdimësi dhe shpëlarje e parave në vazhdimësi.

Nga këta të akuzuar, Nexharije Hoti ishte gjyqtare në ish-Gjykatën Komunale të Prishtinës, Reshat Fetahu shef në Departamentin Ligjor në AKP, Gani Ademi këshilltar ligjor i këtij departameti, Avni Maxhuni avokat, Isak Ademi noter, Albion Mulaku nëpunës në Bankën BKT, Xhabir Kajtazi përfaqësues ligjor në L.L.C. “Union” Sh.P.K.

Pjesë e këtij gjykimi janë edhe Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Shqipe Maxhuni , Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Lirim Zeka, Agim Jerlija, Gëzim Rama, Basri Beka, Hamit Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami dhe  Bajram Gashi.

Aktakuzat ndaj këtij grupi lidhen me keqpërdorim pronash të komunave të Prishtinës dhe Graçanicës.

Bëhet fjalë për 36 hektarë toke komunale të shitur me çmim shumë të ulët në krahasim me çmimin real të tregut.

Seanca e sotme u ndërpre ngase mungoi i akuzuari Fehmi Ferizi. Para se të bëhej shtyrja e seancës mediet u nxorën jashtë sallës së gjyqit.

Avokati Asdren Hoxha, mbrojtës i të akuzuarit Dukagjin Emërllahu tha për KALLXO.com se klienti i tij akuzohet për  pika të aktakuzës që sipas tij nuk qëndrojnë.

“Bëhet fjalë për një çështje juridiko penale që i ka 23 të akuzuar, mirëpo mund të ndodhë që shumë nga të akuzuarit nuk janë pajisur me shkresat e lëndës dhe kjo mund të jetë arsye që edhe nesër të shtyhet seanca. I mbrojturi im akuzohet për pesë vepra penale që për mendimin e mbrojtjes asnjëra nuk qëndron dhe gjatë shqyrtimit do të vërtetohet se i mbrojturi im nuk është kryes i veprave për të cilat akuzohet,” tha avokati Hoxha.

Ndërsa avokati Tahir Rrecaj, mbrojtës i të akuzuarit Mehmet Prishtina për KALLXO.com deklaroi se i mbrojturi i tij ka blerë 5.5 hektarë tokë me mirëbesim.

“Unë e mbroj të akuzuarin Mehmet Prishtina dhe i njëjti nuk është personi kryesor ne ketë rast, pasi që gabimisht është trajtuar ashtu si person kryesor. Mehmet Prishtina ka blerë 5.5 hektarë nga Dukagjin Emërllahu dhe prona që pretendohet që është përfituar në mënyrë të kundërligjshme prej 36 hektarëve është fituar nga Dukagjin Emërllahu ne procedurë gjyqësore dhe Mehmet Prishtina  është blerës  me mirëbesim i 5.5 hektarëve dhe ky është vetëm një blerës me mirëbesim dhe asgjë me shumë,” tha Rrecaj.

Seanca e radhës në lidhje me këta 36 hektarë do të vazhdojë nesër.

Një tjetër gjykim për keqpërdorim pronash ku u përfshinë tetë gjyqtarë përfundoi me dënime me kusht të tyre në vitin 2014.

Gjykata e Apelit e shqyrtoi para një jave këtë rast ku është i përfshirë edhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka.

http://kallxo.com/ankesa-e-nuhi-ukes-shqyrtohet-ne-apel/