Ilustrim
“Gjithçka na u shkatërrua” – libanezët kthehen në shtëpitë e rrënuara
Mijëra civilë libanezë kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre të shkatërruara disa orë pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe “Hebzollahut”, ka raportuar më 27.11.2024 transmetuesi britanik, BBC.
Dhe në zemrën e periferisë së bombarduar të Bejrutit, 25-vjeçarja Rayane Slaman qëndron para një pirgu rrënojësh që dikur ishin shtëpia e saj.
“Familja ime punoi gjithë jetën për ta ndërtuar. Kemi jetuar këtu qe më shumë se 25 vjet dhe tani gjithçka është shkatërruar”, ka thënë Salman.
Derisa ekipi i BBC-së ka qëndruar në Dahieh, lagjen periferike të sulmuar vazhdimisht nga Izraeli, familjet kthehen që të shikojnë me sytë e tyre se çfarë u ka shpëtuar bombardimeve ajrore në shtëpitë e tyre. Banorët e intervistuar kanë thënë se po mundohen të mbledhin copëza të ndryshme gjësendesh, duke shtruar njëherësh pyetjen se kush do ta paguajë dëmin e shkaktuar. Së paku tetë ndërtesa janë shkatërruar në këtë vend.
Dhjetëra familje kanë humbur shtëpitë e tyre në mbarë Libanin jugor dhe në jug të Bejrutit. Shkatërrimi shihet gjithandej. Do të duhen para të bashkësisë ndërkombëtare për t’i rindërtuar objektet kolektive të banimit.
Janë shkatërruar qyteza, fshatra e lagje, raporton BBC nga vendi i ngjarjes. Por kjo është dilema që ende nuk dihet se kush mund t’i japë përgjigje.
Njëherësh, kolonat dhe kaosi në trafik shihen në rrugën kryesore të qytetit të Bejrutit derisa njerëzit po kthehen në shtëpitë e tyre, raporton Hugo Bachega nga Libani.
Trupat izraelite kishin nisur pushtimin tokësor të Libanit jugor dy muaj më parë si kundërpërgjigje ndaj mbështetjes pothuajse njëvjeçare të militantëve të “Hezbollahut” për “Hamasin” palestinez dhe hedhjen e raketave në drejtim të Izraelit verior.
Një ditë më parë, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, bënë të ditur arritjen e marrëveshjes së armëpushimit ndërmjet “Hezbollahut” dhe Izraelit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com