Gjilani u jep 15 ditë afat borxhlinjve të tatimit në pronë

Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se borxhlinjve të tatimit në pronë të kësaj komune u është dhënë afat 15 ditë për t’i shlyer borxhet.

Në të kundërtën, komuna ka paralajmëruar procedura përmes përmbaruesve privatë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se buxheti për vitin 2019 është 25 milionë e 508 mijë e 785 euro.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, ka mbajtur sot konferencë për media, me ç‘rast ka potencuar buxhetin e aprovuar për vitin 2019 dhe njëkohësisht ka apeluar te qytetarët që të bëjnë pagesat e faturave të Tatimit në Pronë.

“Planifikimi i buxhetit për vitin 2019 ka kaluar të gjitha fazat e parapara me ligj, që nga Korniza Afatmesme Buxhetore, dëgjimet buxhetore nëpër terren, konsultimin me drejtorët e drejtorive përkatëse dhe javën e kaluar është votuar edhe në Kuvendin e Komunës. Buxheti për vitin 2019 është 25 milionë e 508 mijë e 785 euro. Prej këtij buxheti mbi 21 milionë janë mjete nga granti qeveritar, 4 milionë e 465 mijë 884 euro, janë nga të hyrat vetanake që destinimi i tyre është për investime kapitale. Me këtë buxhet financohet arsimi me mbi 52 për qind, pastaj administrata komunale me afro 35 për qind, shëndetësia e mbi 13 për qind e kështu me radhë”, ka thënë drejtori Maliqi.

Maliqi ka folur edhe për ndryshimet e ligjit për tatimin në pronë dhe ka apeluar te qytetarët që t’u përgjigjen pagesave, sepse në të kundërtën në bazë të këtij ligji, duhet të veprohet përmes përmbaruesve që është një rrugë e mundimshme për borxhlinjtë.

Zijadin Maliqi, komuna e Gjilanit.

“Prej sot ka hyrë në fuqi ligji i ri për tatimin në pronë, me numër 06/L-005/2018, që parashihen ndryshime për inkasimin e borxheve. Njëra prej formave është edhe inkasimi me përmbarim. Ne kemi filluar me këtë formë, konkretisht ne kemi lëshuar vërejtjet e fundit për 52 borxhlinj (biznese kryesisht) që janë në vlerë të borxhit prej mbi 5 mijë euro dhe u kemi dhënë afatin prej 15 ditësh për pagesën e obligimeve, para se të filloj punën përmbaruesi. Vetëm këta 52 obligues kanë borxhin prej mbi një milion e 100 mijë eurosh. Në fazen e dytë do të fillojmë me obliguesit prej vlerës një mijë euro deri në pesë mijë euro, e kështu me radhë. Vlera e borxheve ndaj Komunës së Gjilanit vetëm në sektorin e Tatimit në Pronë është mbi 7 milionë euro”, ka thënë në fjalën e tij drejtori Maliqi.

Edhe afatet kohore sipas ligjit të ri, siç ka njoftuar drejtori, kanë ndryshuar nga ligji i deritanishëm, i cili deri më tani kishte dy periudha kohore, 30 qershorin dhe 31 dhjetorin, ndërsa me ligjin e ri afatet kohore janë 30 prilli dhe 30 shtatori.

“Prej vitit 2019, do të fillohet me tatimin e tokave të pa kultivuara. Toka e cila punohet edhe më tutje do të jetë e liruar nga tatimi. Këtu është qëllimi i punimit të tokës dhe njëkohësisht stimulimi i bujkut. Prej vitit 2019 fillohet tatimimi me një përqindje të vogël, por duke e rritur nga viti në vit”, ka thënë Maliqi.