Ragip Begaj, kryetar i komunës së Malishevës

Fakte të Shpejta për Malishevën

Ragip Begaj po e përfundon vitin e dytë në krye të Malishevës, në komunën ku llogaritet që çmimi i tokës të jetë më i shtrenjti në Kosovë.

Në këto dy vjet, ai është përballur me probleme të mëdha në qeverisje, por më së shumti më atë të arsimit.

Në fushatë kishte premtuar depolitizim të arsimit, pasi pretendonte se PDK që ka qeverisur para tij, e ka politizuar atë. Por duke synuar ta depolitizojë nga PDK, opozita thotë se e ka politizuar duke punësuar në arsim mbështetës të partisë së tij, NISMA.

Këto janë disa nga faktet e shpejta për Malishevën e qeverisur nga Begaj:

1. Ragip Begaj ishte betuar para Zotit dhe qytetarëve të Malishevës që do të punojë drejt dhe se zbatimi i ligjit do të jetë prioritet.

2. Llapushë është nocioni tjetër me të cilin është i njohur territori i komunës së Malishevës.

3. Komuna e Malishevës problemin më të madh në dy vitet e fundit të qeverisjes e kishte me arsimin.

4. Ragip Begaj ka të ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale për hapjen e konkursit të drejtorit të shkollës “Ganimete Tërbeshi” në fshatin Astrazub pa ia ndërprerë marrëdhënien e punës drejtorit paraprak.

5. Në vitin 2015 në komunën e Malishevës janë regjistruar 1418 pickime nga rriqrat por këto janë dy vitet e para pasluftës kur nuk ka pasur raste të vdekjes nga ethet hemorragjike.

6. Në vitin 2013 në Komunën e Malishevës kanë vdekur 9 persona nga ethet hemorragjike.

7. Stadiumi i qytetit, një investim prej 400 mijë euro nga mandati i kaluar, është demoluar pa u luajtur asnjë ndeshje në të.

8. Kryetari Ragip Begaj ka përmbushur premtimin për ndërtimin e 6 objekteve shkollore.

9. Komuna e Malishevës kishte ndarë 200 mijë euro për spërkatje nga ajri por kjo nuk u realizua për shkak të vonesës së lejes nga këshilli ndërministror për shkak të kundërshtimeve mes Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

10. Kryetari Ragip Begaj ka përmbushur premtimin për ndërtimin e çerdhes, por ajo ende nuk është vënë në funksion.

11. Nëntëmbëdhjetë profesorë në “Qendrën e Kompetencës” mbesin pa paga dhe dalin në punë, ndërsa nëntëmbëdhjetë marrin paga dhe nuk dalin në punë.

12. Asamblistja e NISMA-s në Malishevë Floriana Demaj, është punësuar pa konkurs në Gjimnazin “Hamdi Berisha”.

13. Në mandatin e Ragip Begaj, ngjyrat e fanellave të ekipit të basketbollit të komunës së Malishevës janë ndërruar prej atyre të kaltrave (ngjyra e simboleve të PDK-së) në ato portokalli (ngjyra e simboleve të Nismës).

http://kallxo.com/dy-vjet-depolitizim-te-arsimit-me-politike-ne-malisheve/