Ujësjellësi Fillon Shkyçjen e Borxhlinjve nga Rrjeti

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” nga sot do të fillojë të marrë masa ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Në njoftimin e KRU “Prishtina” thuhet se si masë ndëshkuese do të jetë shkyçja nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, duke vazhduar me ndëshkime të tjera.

“Me shkyçje do të përballet secili konsumator që ka dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit. Për këtë aksion, KRU ‘Prishtina’ ka angazhuar rreth 50 ekipe të shkyçjes, përfshirë edhe inspektorë”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit.

Në këto shkyçje do të përfshihen tetë komunat: Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatrat përreth.

KRU “Prishtina” u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’u përgjigjen pozitivisht të gjitha obligimeve financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit në mënyrë që të evitojnë shkyçjen.

“Të gjithë konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike, u bëjmë thirrje që të respektojnë në përpikmëri kontratat për riprogramimin e borxhit, gjithnjë duke paguar këstet e përcaktuara sipas kontratës së nënshkruar nga të dyja palët”, thuhet në njoftim.

KRU “Prishtina” njofton se nga 1 shkurti konsumatorëve që nuk kanë respektuar kontratat me të cilat kanë përfituar nga falja e borxheve, do t’u kthehet ky borxh.

Ujësjellësi paralajmëron që borxhet do t’i arkëtojë edhe nëpërmjet përmbaruesve privatë.

“KRU “Prishtina” do t’i intensifikojë aktivitetet që borxhet e prapambetura të arkëtohen përmes gjykatave kompetente konkretisht, përmbaruesve privatë”, thuhet në njoftim.

Më 19 janar KALLXO.com shkroi se Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit ka përcaktuar tarifat e reja me të cilat metri kub i ujit në Prishtinë shtrenjtohet për 3 centë, ndërsa në komunat tjera ky metër është më i shtrenjtë për 1 cent.

http://kallxo.com/shtrenjtohet-uji/