Foto: RTV 21

Turqia u reagon amerikanëve për ‘gylenistët’ e dëbuar nga Kosova

Qeveria turke ka reaguar ndaj deklaratave të Ambasadës amerikane në Prishtinë të bëra lidhur me gjetjet e Komisionit hetimor parlamentar të Kosovës, i cili kishte gjetur 31 shkelje ligjore nga autoritetet kosovare gjatë procedurës së deportimit nga Kosova të 6 shtetasve turq drejt Turqisë.

Sipas Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, janë shqetësuese shkeljet e ligjore të gjetura nga Komisioni hetimor për ndriçimin e dëbimit të gjashtë ‘gylenistëve’.

“Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”, theksonte Ambasada amerikane, e cila bënte thirrje që të gjithë shkelësit e ligjit të japin përgjegjësi.

https://kallxo.com/ambasada-amerikane-ngre-dyshime-mbi-aki-ne-pas-raportimit-per-gylenistet/

Lidhur me këtë deklaratë të Ambasadës amerikane dhe me çështjen e deportimit të shtetasve turq nga Kosova është përgjigjur zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy.

Zëdhënësi, sipas Ambasadës turke në Prishtinë, ka thënë se Turqia është duke shënuar rezultate konkrete në luftën kundër shtrirjeve jashtë vendit të organizatës FETO, të cilën ai e quan terroriste.

“Është duke u kuptuar gjithnjë e më shumë se organizata në fjalë paraqet një rrezik serioz jo vetëm për Turqinë por edhe për ato vende ku është duke vepruar”, ka theksuar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke.

Tutje, zëdhënësi ka përkujtuar se shumë shtete e organizata e kanë shpallur FETÖ-n organizatë terroriste dhe se ato po i dëbojnë anëtarët e saj nga territoret e tyre.

“Të gjitha këto procedura realizohen në kuadër të legjislacioneve të vendeve si dhe janë të përshtatshme me të drejtën ndërkombëtare”, thekson zëdhënësi Aksoy.

“Një nga kushtet themelore të luftës kundër terrorizmit është një bashkëpunim i sinqertë ndërkombëtar i bazuar në parimet e ligjit”, shton ai.

Zëdhënësi thekson se Turqia i kushton rëndësi vazhdimit të qasjeve të fuqishme të vendeve që marrin masa kundër FETÖ, “organizatë kjo e cila paraqet një kërcënim jetik për vendin tonë në rajonin e Ballkanit, rajon që e vlerësojmë veçanërisht”.

“I ftojmë partnerët dhe aleatët tjerë që në vend që të përpiqen për të bllokuar masat e marra kundër FETÖ-s, në të njëjtën mënyrë të tregojnë një qasje të kujdesshme”, ka theksuar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke.

KALLXO.com ka raportuar ekskluzivisht se plani për deportimin e gjashtë shtetasve turq, të njohur si ‘gylenistët’, ka zgjatur 17 ditë dhe në të janë vërejtur 31 shkelje ligjore.

https://kallxo.com/deshmite-se-aki-planifikoi-per-17-dite-arrestimin-e-gylenisteve-ne-kosove/

Po ashtu, KALLXO.com siguroi raportin e ekspertit amerikan që tregon për implikimin ish-shefit të AKI-së, Driton Gashi, në deportimin e shtetasve turq.

https://kallxo.com/aki-pushtoi-zyren-e-policise-per-deportimin-e-shtetasve-turq/?fbclid=IwAR1zkMekPC2MsRuxLzjhy76may6xjxa2pTyl8gA8psBThWEQcSPH7dRxf48

www.kallxo.com