Tri Orë Pritje Për një Fjali që Mbylli Seancën e Panisur

Seanca e jashtëzakonshme për votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, e thirrur sot për në ora 11:00 nuk nisi fare.

Pas afër tri orë pritjeje, seanca u mbyll me një fjali të kryeparlamentarit Kadri Veseli.

“Më lejoni qe të theksoj optimizmin tim se jemi në rrugë te mirë të arrijmë konsensus. Kemi dakordim që seanca të vazhdojë nesër në orën 10:00. Ky është vendim unanim i të gjitha grupeve parlamentare”, tha ai.

Por, derisa gazetarët prisnin nisjen e seancës, nëpër zyre të Kuvendit zhvilloheshin takime të ndryshme.

Më i rëndësishmi ishte ai në zyrën e kryemparlamentarit Kadri Veseli, në të cilin ishin prezentë presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli dhe Fatmir Limaj, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie. Në këtë takim munguan përfaqësuesit e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe.

Në këtë takim po diskutohej për kushtet e LDK-së që të votonte këtë Marrëveshje. Disa deputetë të LDK-së në kushte anonimiteti kanë treguar kushtet që kanë për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas këtyre deputetëve që folën për KALLXO.com, grupi parlamentar i LDK-së kërkon që raporti i Shpejtim Bulliqit të jetë vetëm si informues dhe jo edhe pjesë e Marrëveshjes. Kërkohet edhe riformulimi i fjalisë ku thuhet se pjesë e Projektligjit janë Marrëveshja e nënshkruar në Vjenë dhe deklarata e presidentëve Thaçi e Vujanoviq, por jo edhe raporti i Komisionit.

Dje, në një komunikatë për media, LDK kishte thënë se nuk voton demarkacionin me dokumente të bashkangjitura, duke aluduar në raportin e Komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.

“LDK-ja nuk mund të mbështesë ratifikimin e Projektligjit, nëse të njëjtit i bashkëngjiten dokumente kontradiktore”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.

Se nuk do ta votojë Demarkacionin, ka thënë sot edhe Lista Serbe përmes një komunikate, ani pse ata nuk janë parë në Kuvend, e as dje në kryesi.

“Lista Serbe nuk do të votojë Demarkacionin me Malin e Zi, pavarësisht pretendimeve të pavërteta dhe tendencioze të plasuara në të gjitha mediat në gjuhën shqipe, të cilat i transmetuan edhe një pjesë e mediave në gjuhën serbe”, thuhet në komunikatë.

Gjatë ditës, presidenti Hashim Thaçi ka ftuar të gjithë deputetët që të votojnë Demarkacionin që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të lëvizin të lirë, ku ka përmendur edhe Listën Serbe.

“Ftoj Listën Serbe që të votojnë këtë marrëveshje, duke respektuar vullnetin e komunitetit serb në Kosovë. Në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Lista Serbe nuk ka asnjë arsye që të mos e ratifikojë këtë marrëveshje”, ka theksuar Thaçi në postimin e tij.

Këtë thirrje deputetëve ua ka bërë edhe ambasadori amerikan.

“Abstenimi apo vota kundër, në thelb, është votë kundër kësaj Marrëveshjeje prandaj i nxisim edhe një herë deputetët që të punojnë për ta arritur votën ‘pro’ Marrëveshjes”, tha Delawie.

Ndërsa deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri ka ‘kërcënuar’ se nëse nuk kalon demarkacioni, pasaportat e tij dhe të familjes do t’i dorëzojë në sekretarinë e Kuvendit.

“Nëse s’kalon Demarkacionit sot, unë kam me ia dorëzu sekretarit pasaportat”, tha Tahiri nga salla e Kuvendit për gazetarët që janë të vendosur në pjesën e pasme të sallës.

Pas mbylljes së seancës së panisur, kreu i Kuvendit doli para mediave, dhe tha se demakracioni duhet të ratifikohet deri të mërkurën [tjetër].

“Duam që deri të mërkurën çështja e ratifikimit të përfundojë”, tha ai.

Deputetja e Vetëvendosjes Fatmire Kollçaku pas shtyrjes së seancës së Kuvendit tha se po servohet Marrëveshja e njëjtë dhe se qëndrimi i VV-së mbetet i njëjtë. Ajo mohoi se pati konsultime me këtë subjekt nga ambasadori amerikan Delaëie dhe shefja e Zyrës së BE-së Natalya Apostolova.

Sot gjatë raportimit të tij në Kuvend, u largua me forcë jashtë ndërtesës gazetari i KALLXO.com, Taulant Osmani. Në kohën kur është nxjerrë jashtë, ai  ka qenë duke qëndruar në korridorin e Kuvendit, përballë zyrës së kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Për këtë ka reaguar AGK, ku ka dënuar largimin e dhunshëm të gazetarit nga hapësirat e Kuvendit të Kosovës derisa po pritej të fillonte seanca për ratifikimin e Demarkacionit.

Në reagimin e Zyrës për Informim të Kuvendit të cilit i është bashkangjitur edhe raporti i Policisë rreth rastit, vërehen vlerësime kundërshtuese rreth situatës që ka çuar në largimin me forcë të gazetarit nga ndërtesa e Kuvendit.

Seanca jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, e caktuar dje nga Kryesia e Kuvendit, do të vazhdojë nesër në orën 10:00.