Tottenham shkarkon trajnerin

Klubi londinez Tottenham ka shkarkuar trajnerin Nuno Espirito Santo.

Kështu bëhet e ditur nga një deklaratë për shtyp e klubit, në të cilën thuhet se janë shkarkuar edhe stafi i trajnerëve Ian Cathro, Rui Rarbosa dhe Antonio Dias.

Drejtori sportiv i Tottenhamit, Fabio Paratici, citohet të ketë thënë se Nuno është gjithmonë i mirëpritur tek ‘Spurs’.

“Nuno është një zotëri i vërtetë dhe gjithmonë do të jetë i mirëpritur këtu. Ne duam ta falenderojmë atë dhe stafin e tij dhe i urojmë më të mirën”, citohet të ketë thënë Paratici.

Nuno Espirito kishte nënshkruar marrëveshje me Tottenhamin me 1 korrik të këtij viti, me afat deri në korrik 2023. Ai, më herët ka drejtuar skuadra si Wolves, Porto dhe Valencia.

Aktualisht, Tottenham gjendet në vendin e 8-të të Premier Ligës angleze, me 15 pikë, ndërsa shkarkimi i Nunos vjen pas humbjes nga Manchester United me rezultat 0 – 3 në shtëpi.