Tenis n'oborr: Blearta Ukëhaxhaj tregon se si po i kalon ditët në karantinë

Aktivitet sportive në Kosovë janë pezulluar qe katër javë, shkaku i pandemisë së coronavirusit.

Sportistët në pamundësi që t’i kryejnë stërvitjet në vendet e duhura siç janë qendrat stërvitore e fushat, në këto ditë karantine duhet që të improvizojnë për ta mbajtur formën e tyre në nivelin më të lartë.

Tenistja Blearta Ukëhaxhaj, në një intervistë për KALLXO.com, tregon se si po i kalon ditët në karantinë.

Ukëhaxhaj e cila e përfaqëson Kosovën në tenis prej vitit 2015, thotë se garën e fundit e ka bërë në fundvitin e vitit 2019. Ajo zbulon se ka planifikuar të marrë pjesë në gara prej muajit prill, por shkaku i pandemisë së coronavirusit, janë pezulluar të gjitha aktivitetet sportive deri me 13 korrik 2020, nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit.

“Unë marr pjesë në gara ndërkombëtare të nivelit ITF, garat e fundit kanë qenë në fund të vitit të kaluar. Për këtë vit e kam pas të planifikuar të marr pjesë në disa gara ndërkombëtare të nivelit ITF duke filluar nga muaji prill, mirëpo për shkak të gjendjes së krijuar në tërë botën Federata Ndërkombëtare e Tenisit ka marrë vendim që të gjitha aktivitetet të pezullohen deri me 13 korrik 2020”, tregon Ukëhaxhaj.

Sporti i tenisit nuk është i popullarizuar në Kosovë dhe ka mbështetje të pakët financiare, pasi nuk kanë kushte të voltishme për të stërvitur.

Blearta tregon se nuk e ka të vështirë improvizimin në kohë karantine për tu stërvitur, në shtëpi të saj. Ajo tregon se këtë kohë të karantinimit po e shfrytëzon që të mësoj edhe në pjesën teorike së bashku me babain e saj të cilin e ka trajner të tenisit.

“Duke marrë parasysh se ne Kosovë gjithmonë duhet të jesh i gatshëm të improvizosh për shkak të mungesës së kushteve, nuk ka qenë e vështir që edhe në këtë situatë në kushte shtëpie të improvizojmë diçka të tillë. Po mundohem që të paktën edhe në anën fizike të punoj. Pasi që edhe babin e kam trajner të tenisit ndoshta është një mundësi e mirë edhe për ne që të hulumtojmë edhe nga ana teorike. Gjithashtu federata ndërkombëtare e tenisit ka mundësuar literaturë falas për të gjithë ata që duan të lexojnë dhe mësojnë më tepër rreth tenisit. E këtë mundësi po e shfrytëzoj edhe unë”, zbulon 17 vjeçarja për KALLXO.com.

Referja e tenisit në Kosovë, tregon se çdo ditë ushtron nga një orë e gjysmë që ta mbaj vetën në formë ani pse intensiteti i stërvitjeve nuk është i njëjti si më parë.

“Me këtë virus është duke u përballur e gjithë bota nuk është diçka që ka të bëjë vetëm me mua, sigurisht se ka ndikuar shumë në planet e këtij viti, mirëpo është koha që duhet të mendojmë për shëndetin tonë dhe të gjithë shoqërisë, e veçanërisht për shëndetin mendor. E këtë mund ta kalojmë duke e mbajt trupin tonë të shëndosh me aktivitete fizike aq sa kemi mundësi. Çdo dite nga 1 ore e gjysmë, ushtrime për forcë qëndrueshmëri, balanc, footëork qe e aplikojmë edhe në tenis. Sigurisht se intensiteti i stërvitjeve nuk është i njejt mirëpo po mundohem që ta menaxhoj edhe këtë pjesë”, potencon Blearta.

 

 

Tenistja kosovare ka një këshillë për kolegët e saj, që ta marrin raketin dhe topin e tenisit dhe t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që i kanë në shtëpitë e tyre që mos të qëndrojnë pasiv.

“Për të gjithë tenistët e rijnë dua t’iu them se ata nuk janë vetëm përderisa kanë raketin dhe topin e tenisit. Ata mund të shfrytëzojnë që gjatë kësaj kohe të luajnë me muri ose edhe të gjitha mundësit e tjera, mjafton që ata të jenë në kontakt me topin dhe raketin e tenisit. Edhe për të gjithë njerëzit ti kushtojnë rëndësi edhe aktiviteteve fizike që të mund ta menaxhojnë më lehtë anën psikologjike në këtë situatë aspak të lehtë, siç është ajo thënia “Mendja e shëndosh, në trup të shëndosh”, sygjeron Ukëhaxhaj.

Blearta Ukëhaxhaj është e rritur në një familje ku temë diskutimi gjithëmonë ka qenë tenisi, kjo ia ka mundësuar asaj që ketë përkrahje maksimale gjatë karrierës së saj.

“E rritur ne një familje ku temë gjithmonë ka qenë tenisi, kjo ka qenë edhe më e lehtë për mua sepse e kam pas përkrahjen maksimale gjithmonë nga familja në çdo hap të karrierës”, tregon ajo.

17 vjeçarja me prejardhje nga Deçani, ka qenë tenistja më e mirë në të gjitha kategoritë, për momentin është njëra ndër tenistet më të mira në Kosovë. Ajo në vitin e kaluar është licencuar si trajner për nivelin 1 për vajza në Kosovë. E ka përfaqësuar Kosovën në shumë evente ndërkombëtare të nivelit Tennis Europe, ITF, kampionatin botëror Fed Cup, lojërat olimpike për të rinj EYOF Gyor 2017, lojërat mesdhetare Tarragona 2018.

Po ashtu është e licencuar si refere e vijës dhe e karrikës të tenis.

Ukëhaxhaj është e vetmja refere vajzë e licencuar në Kosovë.