Intervista e eurodeputetit Thijs Reuten për KALLXO.com

Intervistë me eurodeputetin holandez, Thijs Reuten - VIDEO

Deputeti holandez në Parlamentin Evropian, Thijs Reuten vlerëson se tensionet dhe zhvillimet në veri të Kosovës janë shqetësim për të gjithë si dhe për rajonin.

Në një intervistë për KALLXO.com, më 13 qershor Reuten thotë se Parlamenti Evropian dëshiron që të mbështesë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me objektiv, normalizimin e marrëdhënieve dhe si përfundim, integrimin e të dyja shteteve në Bashkimin Evropian.

Eurodeputeti konsideron se nuk ishte e drejtë që Kosova u fajësua për tensionet në veri, megjithatë sipas tij qeveria kosovare shprehu se ka hapësirë për zgjedhje të reja që gjithashtu ka qenë kërkesë e bashkësisë ndërkombatare.

Mes tjerash, Reuten ka folur edhe për liberalizimin e vizave, proces për të cilin ai tha se nuk mund të lidhet me situatën në veri dhe se është çështje mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Intervista e plotë:

KALLXO.com: Zotëri Reuten, dy javët e fundit situata në Kosovë është tensionuar pasi serbët në veri kanë organizuar protesta kundër kryetarëve të rinj që u zgjodhën në komunat veriore. Si rezultat i protestave u lënduan 30 paqeruajtës të NATO-s [KFOR]. Si i keni parë këto zhvillime atje dhe si mendoni që institucionet e Kosovës e kanë menaxhuar situatën?

Reuten: Tensionet dhe zhvillimet e fundit janë shqetësim për të gjithë dhe duhet të jenë shqetësim gjithashtu edhe në rajon. Është shumë e rëndësishme që të kthehemi në një situatë stabiliteti, të bisedojmë me njëri-tjetrin dhe të vazhdohet dialogu dhe gjithashtu situata në veri duhet të stabilizohet.

KALLXO.com: Çka mendoni se duhet të bëjë Parlamenti Evropian që të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj situate apo edhe Bashkimi Evropian në përgjithësi?

Reuten: Parlamenti Evropian në përgjithësi ka qenë shumë i qartë në atë se çka duam. Dëshirojmë të mbështesim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me objektiv, normalizimin e marrëdhënieve dhe si përfundim, integrim i të dyja shteteve në Bashkimin Evropian, ky është qëllimi, për të arritur deri aty, në interesat e të dyja shteteve dhe gjithë rajonit. Ne duhet të pajtohemi dhe të krijojmë një situatë që të flasim me njëri-tjetrin për hapa konkretë, ku secili vend duhet ta bëjë pjesën e tij. Çka kemi parë në javët e fundit është për keqardhje sepse përshtatet në një model përshkallëzimi, që ka nevojë më pas për shtensionim, e që është shkaktuar nga kryetarët që kanë marrë detyrat e tyre. Por nuk është diçka që është bërë dje ose pardje, kjo përshtatet në një strukturë problemesh të vazhdueshme të krijuara kur në fakt ne duhet të jemi të ulur në një tryezë dhe t’i zgjidhim këto probleme.

KALLXO.com: BE-ja ka bërë tri kërkesa për të zgjidhur situatën e krijuar, gjithashtu edhe bashkësia kombëtare le të themi ka “fajësuar” Kosovën për këto zhvillime. Cili është qëndrimi juaj për këtë?

Reuten: Është pak e vështirë, sepse kjo nuk është çështja të jesh gjykatësi apo referi dhe ajo nuk është puna jonë, por mendoj se balanci deri në një pikë është zhdukur pak. Dukej se i gjithë faji u vendos tek Kosova dhe kjo nuk është e drejtë natyrisht dhe mendoj se tashmë edhe Qeveria e Kosovës ka thënë se ka hapësirë për zgjedhje të reja, që gjithashtu ka qenë kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare. Çka mendoj se është e rëndësishme është se tashmë bashkësia ndërkombëtare është gjithashtu shumë e qartë edhe me Serbinë duke thënë se kjo do të thotë se të gjithë duhet të marrin pjesë, lirshëm dhe pa ndërhyrje nga Beogradi në këto zgjedhje, sepse në fund të fundit njerëzit që jetojnë në Kosovë, qoftë me orgjinë shqiptare apo serbe, apo origjinë tjetër ata duhet ta bëjnë së bashku të ndërtojnë dhe punojnë për një marrëdhënie të frytshme dhe të begatë dhe kjo kërkon përpjekje nga të dyja palët, gjithashtu edhe nga Qeveria e Kosovës. Nuk do ta fsheh, por jam i bindur se Qeveria e Kosovës dëshiron që ta bëjë këtë dhe mendoj se duhet t’i ndihmojmë të dyja palët që të shkojnë përpara sepse është në interes të tëgjithëve të përparojnë.

KALLXO.com: Ju i përmendët zgjedhjet e reja. Javën e kaluar [Mirosllav] Lajçak dhe [Gabriel] Escobar vizituan Kosovën dhe ata gjithashtu vizituan Serbinë. Ata thanë se [Aleksandar] Vuçiq u ka siguruar që do e përdorë ndikimin e tij për të ndikuar tek serbët që ata të marrin pjesë në këto zgjedhje. Sa mendoni që ai [Vuçiq] do ta mbajë fjalën e tij?  

Reuten: Nuk e di, por nuk është sekret që jam pak skeptik nga premtimet nga ana serbe, por gjithmonë duhet të jemi shpresues dhe mendoj se tash është koha që pas një periudhe të gjatë e të mjerueshme, periudhë që askush nuk e dëshiron si dhe ngjarjet e ndodhura javët e fundit, duhet të pajtohen dhe të jenë të qartë që serbët duhet të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe nuk duhet të shtyhen në ndonjë drejtim nga Beogradi, duhet të jenë të lirshëm, të zgjedhin se në çfarë lista dëshirojnë të marrin pjesë dhe cilin kandidat duan të mbështesin dhe ta japin votën lirshëm dhe pa ndonjë ndikim nga Serbia. Në fund të fundit kjo është për të ardhmen e tyre në Republikën e Kosovës dhe ajo duhet të jetë në fillim të agjendës.

KALLXO.com: Le të kthehemi prapë tek Kosova, sa mendoni që kjo situatë [në veri] do të ndikojë në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian? Keni qenë i përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave, nëse Kosova nuk i përmbush kërkesat që BE i ka kërkuar, a mendoni se mund të ketë suspendim të vizave?

Reuten: Mendoj se liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë asgjë me këto tensione. Tensionet nuk janë prej dje ose muajin e shkuar, janë aty për kohë të gjatë. Jemi duke punuar me dialogun, duhet të vazhdojmë me dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë asgjë me të. Ajo është mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, pra mendoj se do të ishte shumë e çuditshme që të lidhet me këtë çështje. Ajo se çka duhet ne të bëjmë është që të vazhdojmë dialogun dhe të punojmë së bashku në një të ardhme ku do të shohim se të dyja vendet do të përfitojnë nga përafrimi i anëtarësimit në BE dhe natyrisht kur ndodhin ndodhi si javët e kaluara, nuk është ndihmesë sepse e vonon në vend se të ndihmojë në përparim. Pra çdo vonesë, qoftë e shkaktuar nga tensione si këto që kemi parë në veri të Kosovës apo edhe diçka tjetër. Çdo vonesë është e keqe sepse ne nuk kemi kohë për të humbur na duhet të punojmë në perspektivën e të dyjave, Serbisë dhe Kosovës që të jenë më afër Bashkimit Evropian. Mendoj se Kosova e ka bërë zgjidhjen e saj, ata me të vërtetë duan që të bëhen anëtar i BE-së. Serbia nganjëherë thotë se dëshiron të jetë anëtare e BE-së po ata gjithashtu duhet ta bëjnë zgjidhjen dhe të shkojnë pas saj sepse mendoj se kjo do të ishte përfundimisht për më të mirën e regjionit.

KALLXO.com: E përmendët integrimin evropian por, sipas marrëveshjes që u arrit në shkurt, është një nen që thotë se Serbia dhe Kosova nuk duhet të pengojnë njëra- tjetrën në integrim evropian. Institucionet e Kosovës, te themi kanë akuzuar Serbinë se ka shkelur ato nene, çka na thoni për këtë?

Reuten: Sigurisht e kam vërejtur që pavarësisht marrëveshjes, ka pasur lobim aktiv kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, mendoj se nuk është në linjë me atë se çka është dakorduar dhe ajo është esenca e marrëveshjes. Është një paketë marrëveshjeje, çdo pjesë e saj duhet të respektohet dhe për atë duhet mirëbesim dhe duhet të besojnë njëra tjetrën, duhet besim në marrëveshjen që e kanë bërë. Në atë respektim, e kuptoj gjithashtu edhe emocionin dhe lobimin për të u përpjekur që të votojnë kundër në Këshillin Evropian, ta pranojmë këtë që ndodhi por tashmë na duhet të vazhdojmë përpara, është mirë që Kosova mund të vazhdojë përpara me këtë aplikim në Këshillin e Evropës por duhet të tejkalojmë këtë dhe të bashkohemi që këtë proces [dialogun] ta rifillojmë përsëri.