Koha është armiku për Institutin e ri të Krimeve të Luftës në Kosovë

Atdhe Hetemi, kreu i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, thotë se edhe pse kalimi i kohës nënkupton se dëshmitë jetike janë zhdukur dhe dëshmitarët kanë ndërruar jetë, ai e ka për obligim të kërkojë të vërtetën në emër të viktimave.

Atdhe Hetemi është i vetëdijshëm se kalimi i kohës është kërcënimi më i madh për Institutin e sapokrijuar për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Dëshmitarët okularë plaken, kujtimet e tyre zbehen dhe disa vdesin; autorët gjithashtu vdesin para se të ndiqen penalisht.

Por Hetemi gjithashtu mendon se koha ofron edhe një avantazh të madh, sepse periudha e gjatë që ka kaluar që nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë ka krijuar një distancë emocionale që i lejon njerëzit të pranojnë të vërtetën për atë që ka ndodhur.

Duke folur në zyrën e tij në Prishtinë, Hetemi, ligjërues i shkencave politike në universitetin kryesor publik të Kosovës, i cili ka punuar për dhjetë vjet për Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, tha se ai është i vendosur që institucioni që ai drejton do të hedhë dritë mbi të vërtetën për krimet e kryera nga shteti serb gjatë luftës.

“Ne kemi një detyrim ndaj viktimave dhe brezave, jetët e të cilëve u sakrifikuan”, tha ai për BIRN.

Pothuajse dy muaj pasi mori punën në Institut, Hetemi tha se ka shumë arsye bindëse pse ky institut nuk do të dështojë apo mbyllet si paraardhësi i tij.

Në vitin 2011, qeveria krijoi një institut të mëparshëm kërkimor për krimet e luftës si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, për të mbledhur, përpunuar, klasifikuar dhe arkivuar informacione rreth krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, instituti u akuzua se nuk arriti të përmbushte mandatin e tij, megjithëse pretendonte se po bënte përparim pavarësisht mungesës serioze të financimit. Ai u mbyll në vitin 2018 me urdhër të kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj.

“Instituti aktual është themeluar me ligj. Ai është një organ i pavarur dhe ka objektiva dhe mision të qartë. Ai gjithashtu ka një linjë të veçantë buxhetore. Kjo më bën të besoj se nuk do të ndajë fatin e institutit të mëparshëm”, tha Hetemi.

Pothuajse 25 vjet pas përfundimit të luftës, në një moment kur shumë dëshmi tani janë zhdukur dhe shumë dëshmitarë kanë vdekur, Hetemi pranoi se “është pak vonë” që Instituti i ri të fillojë aktivitetet e tij.

“Por është diçka e mirë që kemi institucione, organizata dhe media vendore dhe ndërkombëtare që gjatë kësaj kohe kanë mbledhur një numër të madh dokumentesh lidhur me luftën”, theksoi ai.

Gjatë ditëve të para të punës, Hetemi tha se stafi i Institutit ka finalizuar rregulloren e funksionimit dhe ka hartuar strukturën e tij.

Instituti do të ketë dy departamente kryesore: Hulumtimin dhe Dokumentimin.

Departamenti i Hulumtimit do të përbëhet nga katër divizione, me fokus krimet kundër njerëzimit, krimet ekonomike, krimet kundër trashëgimisë kulturore dhe krimet kundër mjedisit. Departamenti i Dokumentimit do të përbëhet gjithashtu nga katër divizione, që kanë të bëjnë me grumbullimin, verifikimin, përpunimin dhe arkivimin, fizik dhe digjital.

“Mendoj se Instituti do të jetë pikë grumbullimi për të gjithë dokumentacionin ekzistues, qoftë nga institucionet, organizatat apo individët, por edhe për materialet shtesë që do të mblidhen”, sqaroi Hetemi.

Ai tha se Instituti i ri do të trashëgojë edhe atë që tashmë është mbledhur dhe arkivuar nga paraardhësi i tij.

“Ne nuk do të dyfishojmë aktivitetet tona me organizata dhe institucione të tjera të përfshira në dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës, por do të koordinohemi me to”, shtoi ai. “Ata duhet të depozitojnë të paktën një kopje të materialit të tyre në Institut.”

Në vitin e tij të parë, Instituti planifikon të rekrutojë 50 zyrtarë, me zyra në gjashtë rajone të tjera të Kosovës. Stafi do të jetë multietnik, tha Hetemi: “Ky ekip do të përcaktojë vendosjen e një themeli solid për Institutin.”

“Lufta ishte e keqe për të gjithë”

Fshat i shkatërruar në Kosovë gjatë luftës në vitin 1999. Foto: Wikipedia.

Instituti i ri ende nuk ka vendosur se si do të procedojë me krijimin e një regjistri të të gjithë personave që u vranë gjatë luftës në Kosovë.

Deri më tani, pika kryesore referuese për numrin e viktimave ka qenë regjistri i krijuar nga OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd. Sipas “Libri Kujtimi i Kosovës” të FDH-së, dokumentet konfirmojnë se mbi 13,500 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur gjatë dhe menjëherë pas luftës, nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

“Regjistri dhe statistikat janë ndër elementet kryesore ku do të koordinojmë aktivitetet për të pasur një rezultat më të saktë”, tha Hetemi.

Në vitin 2021, kryeministri Albin Kurti risolli idenë për ngritjen e një padie për gjenocid kundër Serbisë. Themelimi i Institutit është përmendur shpesh si një faktor që do të ndihmonte nismën për ta sjellë Beogradin përpara një gjykate ndërkombëtare, megjithëse ekspertët kanë paralajmëruar se kjo do të jetë shumë e vështirë.

Hetemi tha se Instituti do të shërbejë për dokumentimin e të vërtetës për luftën dhe do të punojë në “shërbim të drejtësisë”.

I pyetur për padinë e mundshme për gjenocid kundër Serbisë, ai u përgjigj se “nuk e shoh punën tonë të shkëputur nga ndonjë proces tjetër”.

Ai argumentoi se Instituti do të sigurojë dokumente të besueshme që do të jenë të dobishme edhe për brezat e ardhshëm. Por ai shtoi se do të ishte më mirë nëse Serbia do të lejonte aksesin në dokumentet e saj ushtarake dhe policore të kohës së luftës, disa prej të cilave janë klasifikuar si sekrete shtetërore.

“Ideali do të ishte që shteti që ka kryer këto krime, Serbia, të na e lehtësojë punën dhe të lejojë qytetarët e tyre në Serbi të përdorin arkivat e tyre ushtarake dhe policore dhe të mos i klasifikojnë ato”, tha ai.

Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë do të dokumentojë gjithashtu disa nga krimet që u kryen në muajt pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave ushtarake jugosllave dhe policore serbe nga Kosova në qershor 1999, kur shumë serbë u larguan nga shtëpitë e tyre, nga frika e ndëshkimit të dhunshëm.

“Në bazë të ligjit, Instituti mund të hulumtojë periudhën deri në dhjetor 2000, gjashtë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë”, shpjegoi Hetemi.

“Pas shtypjes së autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989, shqiptarët e Kosovës jetuan për një dekadë nën sundimin e represionit të Serbisë. Krimet e ndodhura pas qershorit 1999 kanë pasur motive hakmarrjeje dhe janë kryer nga individë ndaj anëtarëve të caktuar të komunitetit. Ato nuk ishin krime të organizuara.”

Megjithatë, ai këmbënguli se “Instituti nuk do t’i mbyllë dyert dhe sytë ndaj krimeve kundër komuniteteve të tjera”.

“Qëllimi kryesor është të theksojmë se viktimat janë në qendër të punës sonë, për të treguar se lufta ishte e keqe për të gjithë”, tha ai.

“Misioni i Institutit nuk është hakmarrja apo ndëshkimi, por dokumentimi, përfshirë gjetjen e autorëve të krimeve.”