Publikohen statistikat e më të mirëve në Superligën e Kosovës në Basketboll

Superliga e Kosovës në Basketboll, ka përmbyllur stinorin vjeshtor dhe ka bërë publike statistikat e skuadrave me sulmin dhe mbrojtjen më të mirë.

Në bazë të statistikave të publikuara nga Federata e Basketbollit të Kosovës, del se KB Peja ka sulmin më të mirë, ndërsa mbrojtjen me të mirë e ka skuadra nga Suhareka, KB Golden Eagle Ylli.

“Sulmin më të mirë në elitën e basketbollit, e ka Peja, që në 14 ndeshje ka shënuar 1,297 pikë, apo 92.6 për ndeshje, ndërkohë, mbrojtjen më të fortë në Superligë e ka Golden Eagle Ylli, që ka pranuar 1,037 pikë ose 74 pikë për ndeshje”, thuhet në njoftimin për media bërë nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

Pos sulmit dhe mbrojtjes më të fortë është bërë publike edhe skuadra me mbrojtjen më të dobët. Drita nga Gjilani që ka 14 humbje, është skuadra me mbrojtjen më të dobët në Supërligën e Kosovës në Basketboll.

Pas përfundimit të stinorit, në vendin e parë në tabelë gjendet KB Golden Eagle Ylli me 24 pikë, në pozitën e dytë KB Trepça po ashtu me 24 pikë, ndërsa në pozitën e tretë KB Peja me 23 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur.