Kurti pret në takim ‘Shqiponjat’, i uron për titullin kampion në basketboll

Kryeministri Albin Kurti ka pritur dje në takim kampionin e super ligës së basketbollit të Kosovës, Klubin e Basketbollit, Peja.

Kurti gjatë takimit tha se “edicioni i sivjetmë i super-ligës ka rikthyer basketbollin në vëmendjen e secilit, duke potencuar kështu se rritja e shikueshmërisë dhe mbështetjes për sportin lokal, sinjalizon drejtimin e duhur të zhvillimit të sportit në nivel shtetëror”.

Kryeministri ka uruar drejtuesit dhe lojtarët e Pejës për fitoren në këtë edicion.

“Ai uroi drejtuesit dhe lojtarët e Klubit të Basketbollit Peja për arritjen në këtë sezon dhe u dëshiroi edhe më shumë suksese në të ardhmen. Po ashtu theksoi se si Qeveri jemi të interesuar që ta forcojmë sa më shumë sportin, i cila ka shumë rëndësi për rininë dhe për shëndetin, por edhe për afirmimin e Shtetit”- thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

KB Peja u shpall kampione e super ligës së basketbolli të Kosovës pas fitores në ndeshjen me KB Trepça.