Këto janë rregullat strikte për tifozët në ‘Final 8’ Kupa e Kosovës në basketboll

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), ka prezantuar rregullat strikte për tifozët, që do të vlejnë për ndeshjet në “Final 8” Kupa e Kosovës në basketboll.

Gara e këtij viti do të organizohet në Gjakovë në palestrën “Shani NushI’, nga sot me 13.02.2024 deri më 17.02.2024.

FBK-ja ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të ndërmerren masat e nevojshme, që ky organizim të kalojë pa incidente.

Sipas njoftimit, Policia do të jetë e vendosur në perimetrin e sigurisë, me ç’rast do të bëjë filtrimin e shikuesve për moslejimin e gjësendeve të palejuara.

Gjërat që nuk lejohen, sipas FBK-së, janë:

  • Mjetet piroteknike;
  • shishet e qelqit pavarësisht madhësisë;
  • shishet e plastikës pavarësisht madhësisë;
  • pijet alkoolike dhe substancat narkotike;
  • ushqim çfarëdo lloji, përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh;
  • ombrella;
  • armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë;
  • sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme);
  • kamera profesionale dhe video kamera
  • çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.

FBK-ja po ashtu ka bërë të ditur se kërkohet posedimi i dokumentit identifikues së bashku me biletë, ndërsa ata që nuk posedojnë bileta nuk do të kenë mundësinë të afrohen te portat e palestrës.

Çiftet e para të ndeshjeve janë KB Trepça – KB Istogu; KB Ylli – KB Vëllaznimi; KB Peja –KB Bashkimi dhe KB Sigal Prishtina – KB P.C. Prizreni.

Fituesi i KB Trepça – KB Istogu luan më pas me fituesin e KB Ylli – KB Vëllaznimi, ndësa fituesi  i KB Peja –  KB Bashkimi luan me fituesin e KB Sigal Prishtina –  KB P.C. Prizreni.

Nis gara për Kupën e Kosovës në basketboll