Trepça-Peja, Ilustrimi: KALLXO.com

Përballja e madhe – Trepça apo Peja?

E pesta lojë, mes Trepçës dhe Pejës pritet ta vendosë kampionin e ri të Kosovës në basketboll.

Në katër ndeshjet e Play Off-it, mitrovicasit dhe pejanët kanë fituar nga dy ndeshje, sa herë që luajtën si vendas.

Të enjten në palestrën “Minatori” luhet ndeshja e fundit finale nga ora 20:00 mes ekipit që fitoi Kupën e Kosovës, Trepçës dhe ekipit që u rëndit në vendin e dytë në tabelën e kampionatit, Pejës.

“Torcida” pritet të mbushë plotë palestrën.

Përballja e parë finale mes Trepçës dhe Pejës i takoi “minatorëve” me rezultat 94:86.

Por, në ndeshjen e dytë, Peja u rikthye fuqishëm duke fituar me rezultat 107:89 në “Karagaq”.

Para se të luhej ndeshja e tretë finale, trajneri nga Turqia i KB Trepça, Engin Gençoglu, ndau rrugët me ekipin mitrovicas.

Aktualisht, “Xehtarët” drejtohen nga trajneri vendas, Ilir Selmani, i cili paraprakisht ishte pjesë e shtabit teknik te Trepça.

Në ndeshjen e tretë, “Xehtarët” nuk zhgënjyen publikun e zjarrtë që i priti në “Minatori”. Trepça mundi Pejën me rezultat 97:90 duke kaluar në 2 me 1 me fitore ndaj Pejës.

Loja e katërt me radhë i takoi “Shqiponjave” të cilët edhe njëherë treguan se do të luftojnë deri në fund për të marrë epitetin e më të mirit në Super Ligën e Kosovës në basketboll. Dallimi mes Pejës e Trepçës ishte vetëm katër pikë, 87 me 83 pikë.

Dy ekipet finaliste, kishin një rrugë të gjatë drejt finales. Peja u rendit në pozitën e dytë në tabelën e kampionatit të Super Ligës, 49 pikë, një pak se KB Prishtina e cila ishte në vendin e parë.

Në anën tjetër, Trepça u rëndit në vendin e katërt me 45 pikë, tre pikë më pak se KB Golden Eagle Ylli që kishte 48 pikë.

Në gjysmëfinale, Peja eliminoi ekipin nga Suhareka, Golden Eagle Ylli 3 me 1 ndërsa Trepça ia mohoi finalen Prishtinës me 3 me 2 duke e mposhtur në ndeshjen e pesë në kryeqytet.

Që nga paslufta, Trepça është shpallur kampion tre herë ndërsa Peja një herë.

Përballja e madhe – Trepça apo Peja? Ilustrimi: Diar Vuçetaj