Foto: KB Trepça
Pretendimet për kurdisje, trajneri i Trepçës kishte kritikuar FBK-në për referet e huaj
Klubi i Basketbollit nga kryeqyteti, Prishtina, sot përmes Facebook-ut tha se ‘kanë zbuluar skandalin më të madh në basketboll’, që pretendohet të ndodhte në ndeshjen e tretë gjysmëfinale mes ekipit kryeqytetas dhe KB Trepça të enjten.
Sipas KB Prishtina, ekziston dyshimi i bazuar se për dy refërt e huaj ishte përgatitur dhënia e ryshfetit që rezultati i përballjes të jetë në të mirë të mysafirëve nga Mitrovica. Për këtë, ekipi nga kryeqyteti tha se kanë edhe prova që dëshmojnë skandalin.
Por, menjëherë ka reaguar ekipi nga Mitrovica duke thënë se janë të pastër si “kristalet” e minierës “Trepçës”.
“Klubi ynë nuk është dhe nuk ndjehet pjesë e këtyre zhvillimeve jashtë fushës së basketbollit” – thuhet në reagimin e Trepcës në Facebook duke ftuar organet e ndjekjes që të hetojnë rastin.
Pesë ditë më parë, pas ndërshjes së dytë gjysmëfinale mes Trepçës dhe Prishtinës në “Minatori”, kishte reaguar trajneri i kubit nga Mitrovica, Engin Gencoglu. Ai kishte kritikuar Federatën e Basketbollit të Kosovës për përfshirjen e referëve të huaj në ndarjen e drejtësisë në ndeshjet e gjysmëfinaleve.
“Dua të di vetëm një gjë, çfarë ndodhi me referët e Kosovës, përse sollën referë të huaj, dikush më tregoni ju lutem” – kishte deklaruar trajneri nga Turqia pas ndeshjes së dytë mes Trepçës dhe Prishtinës, ku “minatorët” kishin fituar me rezultat 77:68.
“Nëse një refer bën gabim, jepni atij dënim ose largojeni. Por, përse nuk u besojmë djemve të vendit tonë, nuk e kuptoj. Unë jam nga Turqia dhe u besoj referëve të Kosovës, kaq. Këtë dua të dijë, sepse vetëm një refer i Kosovës, dy të tjerët të huaj, nuk e kuptoj. Ata nuk e dinë basketbollin e vendit, si fillim duhet t`u besojmë djemve tanë nga Kosova” – kishte thënë Gencoglu.
Prishtina dhe Trepça po “luftojnë” për të zënë një vend për finale. Deri tani janë zhvilluar tre ndeshje, ndërsa rezultati është 2 me 1 për Prishtinës.
Nesër në palestrën sportive “Minatori” luhet ndeshja e katërt mes dy ekipeve elitare të basketbollit kosovar.
Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina pretendon për kurdisje të lojës, Trepça e mohon