FFK paralajmëron aplikimin e VAR-it në futbollin kosovar

Sistemi teknologjik i quajtur “VAR” është duke funksionuar që disa vite në futbollin ndërkombëtar por në futbollin e Kosovës ende nuk ka ndodhur kjo gjë.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, para disa ditësh kishte paralajmëruar se sistemi VAR pritet të përdoret në Superligën e Kosovës në sezonin 2021/2022.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar gjatë ditës së sotme Federata e Futbollit e Kosovës. Federata në Facebook ka shkruar se sistemi VAR së shpejti do të aplikohet edhe në futbollin kosovar.

Por, si funksionon VAR-i? Si fillim, gjyqtari informon vëzhguesit e sistemit, ose e kundërta, sistemi informon arbitrin përmes kufjeve se ka një episod të dyshimtë ose më saktë, ka një rast të diskutueshëm. Videoja e momentit të diskutueshëm rishihet disa herë në moviolën e instaluar në sistem, ndërsa gjyqtari informohet përmes kufjeve për vendimin që duhet të marrë.

Gjyqtari mund të zgjedhë ta shohë edhe vetë rastin e diskutueshëm përmes monitorit që ndodhet pak metra larg vijave kufizuese të fushës së blertë, ose mund të mjaftohet me raportin që i përcillet përmes kufjeve, për të marrë vendimin e saktë.