Federata angleze e futbollit falënderon Kosovën për mikpritjen

Mikpritja e “Dardanëve” për “Tre Luanët” në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2020, ka bërë që Federata angleze e futbollit ta falënderojë Kosovën.

“Çfarë mikpritje. Faleminderit Kosovë”, thuhet në faqen zyrtare të Federatës angleze të futbollit në Twitter.

Këtij postimi i janë bashkëngjitur edhe disa fotografi që ilustrojnë këtë mikpritje ndër to baneri “Mirësevini dhe rrespekt”, mbajtja e flamurit të Anglisë nga “Dardanët” gjatë intonimit të himnit anglez dhe falënderimet për ndërhyrjen në Kosovë në vitin 1999.

Kosova u mposht nga Anglia me rezultat 4 me 0, duke mbyllur kualifikimet në vendin e tretë të grupit A, prapa Anglisë që është lidere e grupit dhe Çekisë që është renditur e dyta.

Kosova e ka edhe një mundësi për kualifikim në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve. Në muajin mars Kosova do të përballet fillimisht me Maqedoninë e Veriut për të siguruar një vend në Euro 2020.